Foto: Facebook

O’Connell: Situata Është e Rrezikshme

Ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairí O’Connell, një ditë para votimit për presidentin, u ka dhënë mundësi qytetarëve të Kosovës që të bashkëbisedojnë me të në rrjetin social “Facebook”.

Në mesin e shumë pyetjeve drejtuar atij nga përdoruesit e këtij rrjeti, O’Connell është përgjigjur edhe për presidentin.

I pyetur nëse ndodh edhe në Britani që ambasadorët e huaj t’i zgjedhin presidentin dhe kryeministrin, ai është përgjigjur: “Ne nuk kemi President. Jo, ndërkombëtaret nuk e zgjedhin kryeministrin tonë. Ndërkombëtaret nuk e zgjedhin kryeministrin tuaj. Nëse doni një kryeministër tjetër, votoni ndryshe”.

Madje ai këshillon qytetarët që të mendojnë kënd e votojnë, nëse nuk janë të kënaqur me përfaqësimin që u bëhet.

“Presidenti i Kosovës përfaqëson popullin e Kosovës… Nëse deputetët zgjedhin dikend që ju nuk e përkrahni, këshilla ime është mendoni herën tjetër kur t’i votoni”.

I pyetur nga një qytetare se pse bashkësia ndërkombëtare bashkëpunon dhe i përkrah pozitën kur dihet se ka njerëz të korruptuar, ambasadori britanik tha se ai personalisht është 100 për qind kundër korrupsionit, Bashkimi Evropian dhe edhe homologu i tij amerikan po ashtu.

“Njerëzit e dënuar për korrupsion duhet të shkojnë ne burg, por votuesit duhet të mos votojnë për ata që mendojnë se janë të korruptuar.”, është përgjigjur ai.

Ambasadori britanik insiston se  vetëm dialogu është rrugëdalja nga kriza aktuale politike në Kosovë.

I pyetur nëse Britania do të mund të qëndrojnë “mes dy poleve” në mënyrë që të ndalen polarizimet, ai ka thënë që janë liderët e vendit që duhet ta bëjnë këtë.

“Situata është e rrezikshme. Retorika, kërcënime, dhuna janë shqetësuese. Por është shumë e rëndësishme tash që liderët e Kosovës tregojnë aftësinë e tyre të zgjidhin problemet e Kosovës.”, tha ai.

“Dhuna prej cilësdo anë do të ishte e dëmshme por gjithashtu shumë e rrezikshme. Por unë dua të besojë që qytetarët e Kosovës prej cilësdo parti e kuptojnë. Por është shumë e rëndësishme që edhe liderët nuk kurajojnë konfrontim”, theksoi ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar.

Ruairi O’Connell e përsëriti se ai dhe ambasadorët e tjerë e kanë bërë të qartë që nuk e përkrahin asnjë parti politike dhe asnjë kandidat. “Ju keni zgjedhur liderët tuaj. Nëse mendoni që janë të korruptuar, mos i votoni”, shtoi ai.

Ndërsa për krimin e korrupsionin ambasadori tha se mbi të gjitha ai duhet të luftohet nga vet populli.

“Ne krijuam dhe mbështetëm EULEX në mënyrë që EULEX të ndihmojë Kosovën. Gjithashtu, historia botërore na tregon se krimi, nepotizmi dhe korrupsioni luftohen suksesshëm vetëm nga vetë populli”.

O’Connell u përgjigj edhe për Gjykatën Speciale, duke kujtuar se kur “raporti i Marty-t është publikuar, në vend se të hetohen këto dyshime serioze të ngritura ne raport, liderët kosovarë kërcënuan me padi”

“Çdo krim i luftës duhet të hetohet dhe të dënohet, pa marrë parasysh kush e ka kryer atë. Ne e dimë çka ka ndodhë në Kosovë, NATO nuk ka intervenuar pa arsye. Por le të kujtojmë që Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës. Kur raporti i Marty-t është publikuar, ne vend se te hetohen këto dyshime serioze të ngritura ne raport, liderët kosovarë kërcënuan me padi. Kjo krijoi përshtypje që Kosova nuk do t’i hetoje krimet e luftës me seriozitet. Trajtimi i z. Lushtaku e përforcoi këtë. Por, me votimin e Gjykatës Speciale, Kosova i tregoi botës qe edhe ajo është e gatshme të marrë përgjegjësi për atë çfarë ka ndodhur, dhe që ajo mund të jetë si çdo shtet tjetër”.

Ai ftoi qytetarët e Kosovës të besojnë në vendin e tyre, duke shtuar se ai ka besim tek kosovarët.

“Unë besoj në Kosovë, unë kam besim tek kosovarët. Tani kosovarët duhet të besojnë tek kosovarët. Majlinda Kelmendi e dëshmon këtë; Rita Ora e dëshmon këtë; Dua Lipa e dëshmon këtë; Perparim Rama e dëshmon këtë; Shani Tarashaj e dëshmon këtë; Ismail Hoxha e dëshmon këtë; NatEv Explorer e dëshmon këtë, shumë e shumë të tjerë.”

Kjo nuk është hera e parë që O’connell bashkëbisedon me qytetarët e Kosovës. Hera e fundit ishte më 18 janar.