Foto: KALLXO.com

O'Connell: Nëse Kosova s'do të ketë sukses qytetarët do të shkojnë në Siri

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha sot se ka ardhur koha që të reflektohet për situatën e vendit, pasi sipas tij qytetarët do ta vuajnë.

O’Connell në forumin “FOL Hapur” tha se Britania ka pasur interes që Kosova të jetë shumë funksionale dhe e suksesshme, por jo strehë e parave kriminale.

“Nëse Kosova nuk do të ketë sukses, ne do të vuajmë gjithashtu. Nëse kanë fat, shkojnë në mënyre legale në Evropë, me aspak fat shkojnë ilegalisht. Ose më e keqja shkojnë në Siri. Për interesin e Britanisë dhe krejt Evropës është e papranueshme që Kosova të bëhet strehë e parave kriminale”, tha ambasadori.

Ai theksoi se Kosova ka njerëz të aftë, por se sipas tij politika nuk po i lejon të inkuadrohen në tregun e punës.

“Krejt e dimë çka është problemi, por kemi ardhë në momentin me marrë masa konkrete e me pasë rezultate. Ne si Britani kemi folur disa herë për disa dukuri, ku i kemi ofruar mundësi Qeverisë dhe Kuvendin me përdorë kompaninë britanike në procesin e rekrutimit. Kjo tregon që ku ka vullnet, në Kosovë nuk mungojnë njerëzit me aftësi”, tha O’Connell.

“Deri më tash, vendimet e Kuvendit kanë qenë të zhgënjyese. Ne kemi thënë saherë, që në Agjencionin e Pronës i kemi pasë dy kandidatë, ka qenë një kandidate e kualifikuar, që ka qenë e kualifikuar edhe prej vendorëve edhe prej Britanikëve. Ndërsa ka qenë një tjetër, i afërm me Nismën dhe Fatmir Limajn, e aspak i kualifikuar. Ai është instaluar atje për t`i kryer favore njerëzve. Unë kam dhënë dorëheqje prej agjencisë, sepse s’dua të trajtohem si budalla”, shtoi ambasadori.

Sipas tij, kryeministri ka qenë shumë bashkëpunues por jo edhe OShP.

“Dua të falënderoj dhe lavdëroj kryeministrin. OSHP ka qenë problematike. Nëse kompania e gabuar e ka fitu tenderin, ke mujt më shku me u anku e me zgjatë procesin. Për here të parë, Krueministri ka kërkuar që procesi për Bord të OSHP të jetë i hapur. Kjo është shumë e mirëseardhur”, tha ai derisa theksoi se humbja e mbështetjes së Britanisë do të ishte e dëmshme për Kosovën.

“Ne s’kemi të drejte votë këtu, ne jemi miq të Kosovës, e pranoj edhe për interesa të Britanisë, por jemi miq të Kosovës. Kosova ka nevojë për përkrahjen e përdorshme të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe nëse kjo humbet do të ishte jetike për Kosovën”, tha ambasadori britanik.