Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

O’Connell: Ndërkombëtarët të zhgënjyer me praktikat e punësimeve partiake (VIDEO)

Në emisionin e fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ të titulluar “Kulaçi i PAN-it” u transmetua intervista me ambasadorin britanik Ruairi O’Connell i cili foli për projektin e monitorimit të konkurseve ne ndërmarrjet publike nga kompania britanike HBO.

Ambasadori ka folur për rekrutimin dhe punësimin e Naser Shalës i njohur me nofkën “Ftyra” në krye të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

“Ne kemi përshtypjen dhe më vjen shumë keq për krejt çka është investuar në Kosovë për 20 vite. Hajde të marrim shembullin e këtij Agjencioni. Është agjencion shumë i rëndësishëm që ka siguruar të drejtën e pronës për ma shumë se 36 mijë qytetarë të Kosovës që kanë lejuar çlirimin e tregut në Kosovë e që ende ka një mandat shumë të rëndësishëm tash për të verifikuar kadastrën kur kthehet nga Serbia. Pra është shumë e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme për rritjen ekonomike”, tha O’Connell.

“Ne kemi investuar si bashkësi ndërkombëtare miliona ne këtë agjenci, është zhvilluar shumë, ka pasur lidershipin profesional. Ne kemi ofruar ndihmë për të rekrutuar dikë dhe në fund të procesit është punësuar dikush që nuk ka aftësi, nuk ka kualifikime por ka lidhje politike”, theksoi ambasadori Britanik i cili gjithashtu ka shtuar se Kosova duhet ta kuptojë që bashkësia ndërkombëtare është e zhgënjyer me këto praktika.

“Kjo ka qenë shenjë drejtpërdrejt për ne qe ne nuk do të dëgjohemi dhe me vjen keq që ndihma e Britanisë në ketë rast nuk është e mirëseardhur për Kosovën. Ne kemi shumë vende në botë që kërkojnë ndihmën e Britanisë, mund të shkojmë atje por qytetarët e di që janë të frustruar me këtë praktikë, e di që njerëzit ndihen të lodhur por nëse vazhdojnë të përkrahin këta politikanë këta deputetë që votojnë njëjtën gjë, të njëjtën kulturë vit pas viti, çka mund të mendojmë ne. Më vjen shumë keq por kemi arritur ne momentin kur Kosova duhet të kuptojë sa bashkësia ndërkombëtare është zhgënjyer me këto praktika”, tha ai.

Hulumtuesit e emisionit “Drejtësia në Kosovë” kishin provuar ta marrin një deklaratë nga Naser Shala mirëpo ai nuk kishte pranuar të ëflas duke thënë se pyetni deputetët që e kanë zgjedhur në atë pozitë.

Intervistën e ambasadorit O’Connell dhe emisionin e plotë të ‘Drejtësisë në Kosovë’ mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.