Ruairi O'Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në Kosovë

O’Connell kundër Ramush Haradinajt dhe Enver Hoxhajt, përkrah KShC-në

Ambasadori britanez në Kosovë, Ruairi O’Connell, gjithashtu ka komentuar vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), për mos akreditimin e tri universiteteve publike të Pejës, Mitrovicës dhe Prizrenit.

O’Connell ka shkruar se nëse universitetet kanë dështuar për të përmbushur kërkesat minimale të cilësisë, është faji i tyre e jo i Këshillit.

“Dy parime janë jetike për të ardhmen e Kosovës. Të rinjtë e Kosovës meritojnë një edukim të mirë që njihet ndërkombëtarisht. Institucionet e pavarura duhet të lejohen të veprojnë në mënyrë të pavarur pa ndërhyrje politike”.

Kryeministri i Kosovës i ka bërë reagim publik Agjencisë së Akreditimit pas këtij vendimi duke i quajtur“mafia”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës njëherazi zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj kishte thënë se vendimi ishte i nxituar.

Tutje, O’Connell ka shkruar në ‘Facebook’ se universitetet duhet të plotësojnë disa kritere, veçanërisht nëse duan që vendet e tjera europiane të njohin diplomat e tyre.

Ai ka thënë se kjo është një provë e vërtetë për Kosovën.

“Rezultati do të tregojë nëse sistemi arsimor i Kosovës është ndërtuar për t’u shërbyer qytetarëve të saj dhe interesit kombëtar, ose për t’i shërbyer një grupi të ngushtë njerëzish dhe interesave private”, ka përfunduar shkrimin e tij ambasadori O’Connell.

KALLXO.com me 15 korrik kishte monitoruar mbledhjen e 74-të të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, në të cilën u votuan rekomandimet e raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë të ENQA-s, sipas të cilave Universiteti i PejësMitrovicës dhe Prizrenit, si dhe Kolegji Fama, Kolegji Iliria, Kolegji Tempulli dhe Kosovo Art Academy, nuk do të mund të regjistrojnë studentë të ri për këtë vit akademik.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte reaguar pas raportimit të KALLXO.com se Këshilli Shtetëror i Cilësisë u ka tërhequr akreditimin institucional tri universiteteve publike, duke e cilësuar si vendim të papranueshëm.

Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte kërkuar që çështja e mosakreditimit të universiteteve publike të adresohet në Qeveri.

Universitetet e diskredituara edhe para humbjes së akreditimit