Ruairi O'Connell - Foto: KALLXO.com

O'Connell: Kthimi i Zharkut si njeri i lirë është i turpshëm

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell ka thënë se kthimi i Xhabir Zharkut në Kosovë si një njeri i lirë është i turpshëm.

“Xhabir Zharku u dënua me tre vjet burg për krimet e tij. Kthimi i tij në Kosovë si një njeri i lirë është i turpshëm”, ka thënë O’Connell.

Por sipas ambasadorit O’Connell turpi i vërtetë është se në gjashtë vjet që kur Zharku u lejua t’i shpëtojë drejtësisë, asgjë nuk është bërë për të ndaluar politikanët e tjerë kriminelë të bëjnë të njëjtën gjë.

“Nuk shoh asnjë arsye për një dispozitë ligjore që i lejon kriminelët të largohen nga vendi dhe të jetojnë jashtë vendit në vend që ta mbajnë dënimin e tyre në burg”, ka shkruar O’Connell në Facebook.

Ai ka thënë se shpreson që reformat e drejtësisë do ta mbyllin këtë shteg dhe kështu t’i japin mbështetje atyre policëve dhe prokurorëve që janë seriozë rreth luftës së krimit të organizuar.

“Britania e Madhe ka nevojë që Kosova të jetë një partner serioz në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka përfunduar O’Connell.

Ish- kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, ishte gjetur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burg, por ai nuk e ka mbajtur dënimin meqë ishte arratisur në Suedi.

https://kallxo.com/xhabir-zharku-flet-per-arratine-dhe-kthimin-ne-kosove/

Zharku u kthye më 7 qershor në Kosovë.