Ruairi O'Connell, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

O'Connell: Kosova Ka Nevojë për Heronj të Rinj

Ambasadori britanik në Kosovë nuk u është përgjigjur direkt shumë pyetjeve që i janë bërë në adresën e tij në Facebook.

Ruairí O’Connell është pyetur për Gjykatën Speciale, Asociacionin e Komunave Serbe, protestat e opozitës, korrupsionin e zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Para se të niste bashkëbisedimin dyorësh, ambasadori u ka kërkuar atyre që do të parashtronin pyetje që të jenë të sjellshëm dhe të mos përdorin gjuhë fyese, përndryshe ka kërcënuar se do t’i bllokonte.

I pyetur nëse do ta pranonte Asociacionin po të ishte lider i Kosovës, ai nuk pranoi të përgjigjej në mënyrë hipotetike, por tha që vendimet mund të jenë të vështira, por Kosova duhet të marrë përgjegjësinë për to. “Ndonjëherë vendimet janë edhe të vështira, por në të njëjtën kohë e dobishme”,  është përgjigjur ambasadori O’Connell.

Diplomati i Mbretërisë së Bashkuar është pyetur edhe nëse do të jepte dorëheqje pas ngjarjeve të fundit në Kosovë nëse do të kishte qenë kryeministër i Kosovës. Nuk dua të flas hipotetikisht, ka thënë ai, teksa ka theksuar se Kosova është përgjegjëse për të ardhmen e vet.

I pyetur nga një qytetar për Vetëvendosjen dhe dhunën që ushtron sipas tij kjo parti, O’Connell përsëriti se përdorimi i dhunës gjithmonë e rrezikon demokracinë. “Nuk është e papranueshme për të kundërshtuar sendet. Por, përdorimi i dhunës gjithmonë e rrezikon demokracinë” është përgjigjur ambasadori.

Edhe një pyetje tjetër për Vetëvendosjen i është bërë ambasadorit britanik. “A mendoni se Vetëvendosje me politikat e saj të dhunshme do ta dërgojë Kosovën drejt izolimit?”, ka pyetur njëri. “Përdorimi i dhunës për qëllime politike gjithmonë, gjithmonë, krijon më shumë probleme sesa i zgjidh. Rasti i rektorit tregon që nuk ka nevojë për dhunë. Qasje në Gjykatën Kushtetuese tregon që nuk ka nevojë për dhunë”, i është përgjigjur ambasadori.

Diplomati britanik u pyet edhe rreth mundësisë që Hashim Thaçi të zgjidhet president. “A përkrahni kandidimin e z. Thaçi për president kur e dimë mirë që disa prej figurave qendrore i pret Gjykata Speciale, ky z. Thaçi përmendet në raportin e Dick Martit?”, ka pyetur njëri.

“Ne nuk përkrahim asnjë parti ose kandidat. Pikë. Zgjedhja e Presidentit është pyetje për Kuvendin, por duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet”, ka shkruar ai.

O’Connell foli edhe për korrupsionin. Tha se Kosova ka nevojë për heronj të rinj.

A mund të presim një ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar në reformimin e komplet sistemit të drejtësisë në Kosovë, ka pyetur një qytetar. Me këtë rast, ambasadori tha se Kosova ka ligje të mjaftueshme. Problem, sipas tij, mbetet zbatimi i tyre.

“Kosova ka nevojë për heronj të rinj. Heronj që e duan Kosovën më shumë se interesin personal dhe në çdo moment zbatojnë ligjin. Vetëm kështu reformohet drejtësia dhe jo vetëm drejtësia. Vetëm kështu ndërtohet shteti. Vetëm kjo është patriotizëm dhe heroizëm” ka theksuar Ruairí O’Connell.

Pyetjet nuk munguan as për Gjykatën Speciale. Një qytetar e pyeti ambasadorin nëse kjo Gjykatë do të ketë ndikim në riorganizimin e skenës politike/lidershipit në Kosovë. Por, ambasadori nuk u përgjigj drejtpërdrejt në këtë pyetje. Ai tha se vendimi për të krijuar Gjykatën Speciale ishte një shenjë që secili që akuzohet për krime duhet të përballen me drejtësinë. Ky është një mesazh i fuqishëm, tha ai.

Sa i përket politikës, votuesit e Kosovës kanë fuqinë për të zgjedhur dhe për të formësuar skenën e tyre politike në nivel qendror dhe në atë lokal, ka shkruar O’Connell.