Ambasadori britanik, Ruairi O'Connell - Foto: KALLXO.com

O’Connell: Inkurajuese deklarata e ministrit Tahiri për Xhabir Zharkun

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka reaguar rreth deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, lidhur me rastin e Xhabir Zharkut.

Gjatë prezantimit të raportit të BIRN dhe Internews Kosova për monitorimin e gjykatave për vitin 2017, ministri Tahiri tha se rasti i Xhabir Zharkut, të cilit nuk ia përmendi emrin, është turpi i Kosovës.

“I bashkohem ambasadorit britanik, s’po mundem as emnin me ia përmend, personi që po i referoheni është turpi i Kosovës, por rastet e tilla nuk duhet të na demotivojnë që ta mbështesim gjyqësorin. Rastet e tilla nuk duhet të përsëriten”, tha Tahiri.

E ambasadori britanik tha se është inkurajuese të shohë që ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri e përshkruan rastin e Xhabir Zharkut si të turpshëm.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një veprim konkret për të ndaluar përsëritjen e rasteve te ngjashme në te ardhmen. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë. Një hap i parë i mirë do të ishte heqja e dispozitave ligjore që lejojnë kriminelët e dënuar t’i shmangen vuajtjes së dënimit. Ky është një test për gadishmërinë e Kosovës për ta luftuar kriminalitetin në politikë”, ka shkruar ambasadori Ruairi O’Connell në profilin e tij në “Facebook”.

https://kallxo.com/oconnell-kthimi-i-zharkut-si-njeri-i-lire-eshte-i-turpshem/

Ditë më parë, ambasadori britanik e ka quajtur “të turpshëm” kthimin e ish-kryetarit të Kaçanikut, i cili i kishte ikur drejtësisë kosovare, e cila e kishte dënuar me burg.