Obama kritikon Trumpin dhe “politikën e tij të frikës”

Ish-presidenti amerikan,  Barack Obama i ka dhënë një qortim të ashpër Amerikës së Donald Trumpit, duke sulmuar pasardhësin e tij me emër për herë të parë, në një fjalim emocionues që denoncoi “politikën e frikës dhe pakënaqësisë”.

Në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm që prej largimit nga Shtëpia e Bardhë, Obama u bëri një apel të gjatë votuesve anembanë Shteteve të Bashkuara për të rikthyer “demokracinë e shëndoshë”, e denoncoi gjithashtu taktikat e përdorura nga Trump dhe republikanët në Uashington si një kërcënim të paprecedentë ndaj të ardhmes së vendit.

“Të ndash në klane, të udhëheqësh mes frikës, të vendosës njërin grup përballë një tjetri, t’u tregosh njerëzve se rendi dhe siguria mund të vendosen vetëm nëse mënjanojmë ata që nuk duken si ne, nuk mendojnë si ne apo nuk luten si ne…kjo është një histori e vjetër, e lashtë sa vet koha”, tha Obama.

“Kjo nuk nisi me Donald Trumpin, ai është thjesht simptoma, jo shkaku. Trump thjesht po kapitalizon mbi pakënaqësitë që politikanët vet kanë tentuar të nxisin për vite me radhë. Kur krijohet një boshllëk në demokracinë tonë, kur ne nuk votojmë, apo kur ne i marrim të drejtat dhe liritë tona si të mirëqena e të falura, atëherë politika e frikës, pakënaqësive dhe strukjes zë vend”, deklaroi më tej ish-presidenti amerikan.

Duke folur përpara studentëve, të premten, në Universitetin e Illinoisit, aty ku ai pranoi një çmim për etikën në qeverisje, Obama paralajmëroi edhe temat që do të pushtojnë fushatën zgjedhore në javët e ardhshme, ndërsa kërkoi të “zgjonte” demokratët përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Fjalimi i Obamës tregoi edhe njëherë se ai nuk do të tërhiqet aspak në përballjen dhe goditjen e Trumpit, të cilin faktikisht Obama e ka shmangur në të kaluarën ta sulmojë me emër, pasi i dorëzoi çelësat e Shtëpisë së Bardhë në janar të vitit 2017.

Deri më tani, Obama është fokusuar në disa prej politikave “drakoniane” të Trumpit mbi emigracionin, si dhe te vendimet për t’u tërhequr nga marrëveshjet historike ndërkombëtare, si për shembull pakti i Parisit mbi klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin.

E ndërsa Obama fliste, Trump mbërriti në Dakotën e Veriut për të emëruar një mbledhës fondesh për kandidatin republikan në Senat.

“E pashë, por më zuri gjumi”, tha Trump përpara audiencës. “Zbulova se ai është shumë i mirë për të të vënë në gjumë”.

Presidenti kritikoi më pas paraardhësin e tij se “po përpiqet të fitojë kredite për gjërat e pabesueshme që kanë ndodhur”.

Obama theksoi në fjalimin e tij se përmirësimi i ekonomisë, që republikanët ia atribuojnë Trumpit, nisi pikërisht nën drejtimin e tij.

“Antidoti ndaj një qeverie të kontrolluar nga pakica e fuqishme, një qeverie që përçan, është qeveria e përbërë nga njerëz të organizuar, energjikë dhe gjithëpërfshirës”, tha Obama.

“Pikërisht tani është koha për një gjë të tillë. Ekzistojnë kohëra të jashtëzakonshme dhe kohëra të rrezikshme. Pas dy muajsh do të kemi mundësinë të rikthejmë pamjen e shëndoshë të politikës sonë. Ekziston vetëm një mundësi kontrolli ndaj abuzuesve të pushtetit, ajo jeni ju dhe vota juaj”.