Nxënësit Pas Mësimit Protestojnë për Deharin

Në Prishtinë nxënësit e shkollave të mesme paralajmëruan për sot në orën 14:00 protestë në të cilën do të kërkojnë ndriçimin e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit.

KALLXO.com kontaktoi me zyrat  në shkollat “Xhevdet Doda”, “Sami Frashëri”, “Eqrem Çabej” e “Shtefjen Gjeçovi”, nga të cilat mësoi se personeli arsimor i tyre nuk kishte njohuri për këtë protestë.

Megjithatë, mësimi në këto shkolla përfundon në intervalin kohor nga 13 e 30 deri në 13 e 45 dhe protesta pritet të nisë pas përfundimit të mësimit.

Drejtori i shkollës “Shtjefën Gjeçovi” Shaban Kastrati tha për KALLXO.com se nxënësit nuk kanë përmendur protestën, pasi ajo do të bëhet kur mësimi të ketë përfunduar.

“Mësimi mbaron në orën 13:25 dhe se të premten ka më pak orë mësimore. Nëse nxënësit kishin kërkuar të dalin nuk besoj se do t’i kishim ndalur. Por ja që edhe nëse marrin pjesë ata do të jenë jashtë orarit mësimor,” tha Kastrati.

Drejtorja e Arsimit në Komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci tha se nxënësit e pasdites nuk do të marrin pjesë në protestë.

Arbërie Nagavci: Unë nuk kam marrë ndonjë informatë në lidhje me ndërprerjen e procesit mësimor. Jam njoftu me anë të shkrimeve në Facebook për protestën e nxënësve. Ndërrimi i paradites mbaron në orën 14:00. Ndërrimi i pasdites nuk do të marrë pjesë në protestë pasi që vetë nxënësit kanë kërkuar që vetëm ata që kryejn mësimin të dalin në protestë dhe jo ta ndërpresin procesin mësimor.

Protesta për ndriçimin e rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit janë paralajmëruar edhe për nesër në Mitrovicë dhe të enjten e ardhshme në Prishtinë.

Astrit Dehari, aktivist i “Vetëvendosjes” vdiq më 5 nëntor, derisa po mbahej i paraburgosur si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.