Pamje nga protestat e së mërkurës në Beograd - Foto: REL/Reuters

Nxënësit në Beograd protestojnë pas rrjedhjes së testit në publik

Qindra nxënës kanë protestuar për të dytën ditë me radhë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Edukimit, Mlladen Sarçeviq, si dhe ndryshime në sistemin e edukimit në këtë shtet, pas rrjedhjes në publik të testit kombëtar.

Nxënësit e klasës së tetë kanë marshuar në Beograd më 19 qershor, duke bërtitur “dorëheqje” dhe duke bartur mbishkrime me thirrjet “ju keni shkatërruar të ardhmen tonë”.

Protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për stresin e shkaktuar si pasojë e shtyrjes së pjesë së tretë të testit, që kërkohet të kalohet nga nxënësit e këtij niveli.

Ky hap ka ardhur pasi testi në lëndën e matematikës, që fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 18 qershor, është publikuar nëpër rrjetet sociale, andaj autoritetet kanë shtyrë atë deri më 20 qershor.

Ministri Sarçeviq ka thënë se ai nuk do të japë dorëheqje. Sipas tij, policia është duke hetuar rrjedhjen dhe ata që janë përgjegjës do të ndëshkohen.

Një rrjedhje e ngjashme e testit ka ndodhur edhe më 2013, çka pati rezultuar me anulim të gjithë testit dhe dorëheqje të ministrit të atëhershëm të Edukimit, Zharko Obradoviq.

Rezultatet e këtij testi përcaktojnë se në cilën shkollë të mesme do të ndjekin mësimet nxënësit në vitin e ardhshëm shkollor. (REL)