Prezantimi i hulumtimit rreth lexueshmërisë nga organizata ETEA - Foto: KALLXO.com

Nxënësit e shkollave të mesme në Prishtinë nuk po e përdorin teknologjinë për lexim

Avni Alidemaj, autor i hulumtimit të organizatës ETEA, tha se të rinjtë nuk po e përdorin teknologjinë për lexim.

Këtë ai e tha gjatë prezantimit të raportit “Lexueshmëria në shkollat e mesme të larta të Prishtinës” në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në lagjen Dardania.

“Definitiv ka dalë në pah (është vërtetuar) ka ndikuar negativisht në zhvillimin e kulturës së leximit nga fakti se të rinjtë tanë nuk e përdorin teknologjinë në mënyrë progresive për të ekstrahuar (marrë informacion dhe dije). Mirëpo, shkojnë nga ajo që në mënyrë të fragmentuar nxjerrin detaje të caktuara dhe i përdorin ato detaje, ato fragmente sa për t’i përforcuar nevojat dhe kërkesat të cilat atyre u paraqiten gjatë procesit mësimor në shkollat e mesme të larta”, tha Alidemaj.

Ai shtoi se nga të dhënat e hulumtimit, kultura e leximit është në nivel shumë të ulët.

Kjo sipas tij është shumë shqetësuese duke e ditur se të dhënat vijnë nga shkollat e mesme të kryeqytetit ku mendohet të ketë nivel më të lartë të leximit se qytetet e tjera.

Ndërsa, Besarta Breznica, bashkautore e këtij hulumtimi, tregoi se 79% e të rinjve nuk shprehin interesim të ndjekin aktivitete që lidhen me librin dhe leximin në përgjithësi.

Ajo shtoi se përdorimi i bibliotekave nga nxënësit e shkollave të mesme është i ulët.

“Vetëm 7.6% e nxënësve të shkollave të mesme të larta të Prishtinës frekuentojnë bibliotekën “Hivzi Sylejmani”. Kjo lë të kuptohet se pavarësisht rritjes së numrit të të regjistruarve në këtë bibliotekë në aspektin krahasimor përqindja nuk është e kënaqshme”, theksoi ajo.

Gjithashtu, ajo tha se vetëm 44.2% e nxënësve mund t’i kujtojnë titujt e tre librave të fundit që i kanë lexuar.

Ndërkaq, Albert Mecini, sociolog dhe asistent profesor në Fakultetin Filozofik, e dha një shembull të filozofit gjerman Martin Hajdeger kur u pyet se çka vjen pas kohës së filozofisë.

“Hajdeger përgjigjet: kibernetika. Para 70 viteve në kohën kur ka pasur vetëm radio e televizion dhe telefon. Nuk ka pasur internet, smartfona, Facebook…  Shqetësimi i tij kryesor ka qenë teknologjia”, tha Mecini.

Sipas tij, interneti është dëshmuar si i mirë për dhënien e informatave por jo edhe për zhvillimin e mendimit kritik.

Mecini shtoi se lexueshmëria në nivel global është duke rënë. Ndërsa, sipas tij kjo reflekton edhe në nivelin e artikulimit të të rinjve.

 

24/04/2018:

Artikulli është përmirësuar në emrin e autores së raportit