Numrat emergjentë për kosovarët pas sulmit në Zelandë të Re

Ambasada ka sugjeruar që të ndiqen këshillat e Policisë së Zelandës së Re pas sulmit që ndodhi sot në dy xhami të Zelandës së Re gjatë faljes së xhumasë.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Kanberra ka njoftuar të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës në Zelandën e Re se tashmë i ka vënë në dispozicion numrat emergjentë për çdo shtetas që mund të ketë nevojë për asistencë konsullore me rastin e sulmit me armë në Christchurch të Zelandës së Re.

Kontaktet emergjente janë këto: +61 (02) 261130366 , +61403517113.

Ambasada e Republikës së Kosovës ka sugjeruar që të ndiqen këshillat e Policisë së Zelandës së Re dhe autoriteteve tjera lokale deri në tejkalim të situatës në zhvillim.

Nga sulmi i sotëm në Zelandë të Re mbetën të vdekur 49 persona derisa 20 kanë mbetur të plagosur në dy sulme terroriste në dy xhami të Zelandës së Re, gjatë faljes së xhumasë.

Sulmi terrorist ka ndodhur në qytetin Christchurch.

Në Zelandë të Re, vetëm një pjesë e vogël e popullsisë i takon fesë islame. Në total janë rreth 50 mijë myslimanë, disa nga ta emigruan nga vendet si Pakistani ose Bangladeshi.

Pjesa më e madhe i takon kristianizmit. Kryetarja e qytetit të Christchurch, Lianne Dalziel, ka thënë se janë të shokuar dhe se nuk e prisnin një sulm të tillë.

Duke iu frikësuar sulmeve të tjera, kordoni policor është vendosur para shkollave dhe ndërtesave tjera publike me orë. Dalziel ka apeluar njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.