Armët e konfiskuara gjatë aksionit | Foto: Policia e Kosovës

Numër shqetësues i posedimit të armëve ilegale në Kosovë

Kosovarët del të jenë merakli të armëve. Për çdo vit, lëshohen rreth 5 mijë leje për armë, ndërsa 260 mijë armë të tjera ilegale llogariten të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës.

Edhe pse ka pasur fushata vetëdisuese për mos përdorim të tyre, shifrat për posedim të armëve në Kosovë mbetën ende shqetësuese.

Të premten, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), kanë mbajtur një tryezë të rrumbullakët për kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) dhe reduktimin e armëve të paligjshme në Kosovë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha se nga dhjetori i vitit të kaluar deri më tani, mbi 800 qytetarë kanë aplikuar për legalizim.

“Shteti ka krijuar mundësi, legalizoni armët mos i mbani në shpia sepse tani e kemi shtetin e kemi policinë për kujdesin tonë dhe askush nuk e ka e ka atë të drejtë as moral as njerëzore që të mabj diçka liegale”, tha ai.

Zëvendësministri ka përmendur edhe rastet e fundit të vrasjeve dhe grabitjeve për të cilat tha se janë shqetësuese.

“Siguria është njëra nga kushtet elementare për jetë. Rastet e fundit të grabitjeve, dhunës në familje e të tjera, janë bere shqetësuese. Kosova ka harmanizuar legjislacionin për menxhiminin e armeve të vogla, andaj iu bëj thirrje qytetarëve që t’i legalizojnë armët”, deklaroi Zeka.

Ndërsa, sipas Besnik Sallahut nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar, nga 32 vrasje me armë zjarri, 26 prej tyre ishin me armë ilegale.

Të dhënat që ka siguruar KALLXO.com nga Ministria e Punëve të Brendshme mbi numrin armëve të legalizuara arrin numrin e 25 mijë lejeve të lëshuara në përgjithësi. Sipas MPB-së, numri i kërkesave për leje të armëve është në rritje tek qytetarët në Kosovë.

“Numri i lejeve për armë në Kosovë është rreth 25000, dhe interesimi për marrjen e lejeve vijon të jetë në parametra të njëjtë ndër vite, çdo vit lëshohen rreth 5000 leje ndërsa këtë vit mund të jetë më i lartë për arsye të periudhës së legalizimit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministri për KALLXO.com.

Për të gjithë ata që dëshirojnë të legalizojnë armë, në Kosovë janë të licencuara 31 kompani për tregti me armë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Policia e Kosovës ka thënë se për çdo vit konfiskon mbi 1 mijë armë pa leje.

“Policia Kosovës çdo vit mesatarisht konfiskon mbi 1300 armë në masën dominonte janë armë të mbetura nga lufta e fundit në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e forcave të rendit.

Ndërsa, sa i përket armbajtjeve pa leje, sipas policisë janë identifikuar mbi 1 mijë raste përgjatë vitit të kaluar.

“Armëmbajtje pa leje në vitin 2018 janë identifikuar 1327 raste dhe 1691 individ” thuhet në të dhënat e Policisë së Kosovës.

Konfiskimi i armëve pa leje ka shënuar rritje nga vitit 2017 në atë 2018. Sipas të dhënave të forcave të rendit dy vite më parë janë konfiskuar 1211 armë të zjarrit ndërsa një vit më vonë, në 2018 janë konfiskuar 1473 armë të zjarrit.

Sipas policisë, armët më të shpeshta të konfiskuara janë AK 47, Erol Special 99, M 57, Erol tuna.

Shqetësim për numrin e madh të armëmbajtjeve pa leje në Kosovë, në fillim të vitit kishte shpreh edhe Ambasada Gjermane në Prishtinë. Në njoftimin e rregullt të saj për vizitorët gjerman, ajo kishte tërhequr vëmendjen për kujdes gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Kosova ka disa qindra armë zjarri në pronësi private. Pragu i ndalimit për përdorimin e tyre është relativisht i ulët. Megjithatë, përdorimi i forcës së armëve zakonisht nuk drejtohet kundër të huajve”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Gjermane për shtetasit e saj që e vizitojnë Kosovën.

Profesori universitar që ligjëron lëndën “Kriminalistikë” në Universitetin e Prishtinës, Haki Demolli në një deklarim për KALLXO.com tha se vendimi për legalizimin e armëve ka qenë i qëlluar, ndërsa tha se posedimi i madh i armëve pa leje nga qytetarët është problem i vazhdueshëm për shoqërinë tonë.

“Pas luftës së fundit në Kosovë ka mbetur një numër i madh i armëve në duar të personave pa leje. Posedimi i tyre është i rrezikshëm, mund të paraqes rrezik në çdo kohë për qytetarët tjerë, prandaj institucionet tona duhet të bëjnë një zgjedhje sa më adekuate. Vendimi për legalizimin e armëve është mjaftë i qëlluar nga institucionet, duhet të dihet saktë se kush ka armë dhe të jap përgjegjësinë”, thotë profesor Demolli.

Sipas tij, më mirë do të ishte që armët mos të ishin në duart e qytetarëve, mirëpo sipas tij, ç’rrënjimi i tërësishëm i dukurisë së armëve është zor i arritshëm.

“Nëse një dukuri nuk mund të çrrënjoset, siç është posedimi i armëve, shumë më e rëndësishme është legalizimi sesa mos të dihet se kush i posedon. Unë jam për alternativën që në shoqëri mos të kenë armë në posedim përveç policisë e ushtrisë dhe qytetarët tjerë mos të jenë të armatosur” deklaron Demolli.

Në një raport të UNDP-së, thuhet se në Kosovë janë shkatërruar afërsisht 10 mijë armë zjarri përgjatë viteve 2013- 2017. Ndërsa, sipas raportit, armët e vogla dhe të lehta janë ende një kërcënim për sigurinë publike në vend.

Ndryshe, Kosova nuk ka fabrikë për prodhim te armëve dhe vendi ynë konsiderohet se është vetëm vend transit i armeve.

Të gjithë ata që posedojnë armë të zjarrit ilegale, legalizimin e tyre mund ta bëjnë deri më 17 qershor të këtij viti në kuadër të fushatës për legalizimin e armëve e cila ka filluar në dhjetor të vitit të kaluar.