Numan Baliq - Foto: Atdhe Mulla

Numan Baliq Tregon Pse u Shkarkua nga Pozita e Zëvendësministrit

Numan Baliq ka konfirmuar raportimin e KALLXO.com se sot është shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit të Administratës Publike.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Baliq ka thënë se është shkarkuar nga kryeministri me insistimin dhe kërkesën ultimative të Koalicionit Vakat.

“Përfaqësuesit e Vakat-it Rasim Demiri, Duda Balje, Çerim Bajrami dhe të tjerët nga grupi i tyre që me mashtrime dhe tradhti kanë uzurpuar të gjitha vendet e rezervuara të boshnjakëve në Kuvend dhe Qeverinë e Kosovës, edhe një herë treguan sa shumë urrejtje dhe jotolerancë kanë për boshnjakët e vërtetë dhe me merita, kështu që ekzistencën e mëtutjeshme të koalicionit qeveritar me 61 përfaqësues, e kushtëzuan me zëvendësimin e Numan Baliqit, përndryshe përfaqësuesin e vetëm boshnjak në Qeverinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Sipas Numan Baliqit, ky akt “i turpshëm” ka më së paku dy porosi të rëndësishme për boshnjakët e Pejës, Istogut, Mitrovicës e Leposaviqit: E para që është në përfundim “zhdukja” e boshnjakëve të vërtetë të këtyre trevave dhe e dyta është koha e fundit që boshnjakët të pajtohen, bashkohen dhe me zë të lartë të ngrenë zërin kundër shkatërrimit dhe zhdukjes të boshnjakëve nga këto hapësira, duke dënuar fuqishëm të gjithë ata boshnjakë të rajonit të Pejës të cilët me votat e tyre kontribuuan në rezultatin zgjedhor të Koalicionit Vakat.

Numan Baliq u ka bërë thirrje të gjithë boshnjakëve si në Kosovë, ashtu edhe në gjithë Europën dhe botën, që të kthjellohen dhe ta kuptojnë që erdhi ora të bashkohemi, mblidhemi dhe të bëjmë marrëveshje urgjente rreth asaj se çfarë hapa të përbashkët të ndërmarrim për mbrojtjen e ekzistencës tonë në Pejë, Vitomiricë, Istog, Mitrovicë, Leposaviq, Prishtinë, Gjakovë dhe të gjitha viset ku jetojnë boshnjakët që e flasin gjuhën e tyre amtare.

KALLXO.com raportoi sot për shkarkimin e zëvendësministrit Baliq.

http://kallxo.com/shkarkohet-zevendesministri-numan-baliq/

Numan Baliq ishte emëruar zëvendësministër një muaj më parë.