Pamje nga seanca e gjykimit të të akuzuarve për fajde - Foto: KALLXO.com

Nuk Ndihet i Dëmtuar nga të Akuzuarit për Fajde

Në Gjykatën e Prishtinës dëshmitari tha se kishte blerë një veturë në vlerë 5,800 euro nga i akuzuari Xhelal Hoxha, në prezencë të të akuzuarit Nuhi Hoxha.

“Unë nuk e ndjej veten të dëmtuar pasi që tash e sa vite e kam marrë veturën dhe nuk ua kam kthyer akoma asnjë cent”, dëshmoi Mikullovci.

Në vitin 2014, dëshmitari Mikullovci e kishte blerë veturën e tipit Opel Meriva nga i akuzuari Xhelal Hoxha, në pritje prej 45 ditësh. Mirëpo, për shkak të bankrotimit, dëshmitari nuk kishte arritur t’ia kthente të hollat të akuzuarit Xhelal Hoxha as gjatë 45 ditëve, e as mbas 45 ditëve.

“Unë kam pasur bankrotim total dhe asnjë cent nuk e kam paguar. Veturën nuk e kam shitur por në atë kohë isha duke e ndërtuar shtëpinë dhe veturën ia kam dhënë mjeshtrit i cili ka punuar në shtëpi. Unë nuk kam pasur kurrfarë mundësie t’ua kompensoj borxhin, ngase nuk kam pasur asgjë”, shpjegoi dëshmitari Mikullovci.

Për blerjen e veturës, dëshmitari Mikullovci deklaroi kishte përpiluar një lloj marrëveshje me dorëshkrim, e këtë shkresë prokurorja Dulina Hamiti e paraqiti në gjykatore.

Dëshmitari pranoi se ishte shkrimi dhe nënshkrimi i tij, mirëpo në atë shkresë gjendeshin dy shuma, njëra në vlerë prej 5,800 euro dhe tjetra në vlerë prej 5,000 euro.

Ndërkaq, dëshmitari Mikullovci tha se marrëveshja ka qenë vetëm për çmimin veturës, e jo për vlerën tjetër prej 5,000 euro.

“Marrëveshja ka qenë vetëm për veturë, e jo për pjesën tjetër të shkruar”, tha ai.

Ndonëse dëshmitari Mikullovci kishte kërkuar nga i akuzuari që t’ia shtynte afatin e pritjes, ai deklaroi se as sot e kësaj dite nuk ia ka kthyer borxhin e veturës të akuzuarit Xhelal Hoxha dhe as në afatin e dytë nuk i kishte kërkuar para shtesë.

“Unë edhe pse nuk kam mundur ta kthej borxhin me kohë ashtu siç jemi marrë vesh dhe kam kërkuar afat shtesë, në asnjë mënyrë nuk më kanë kërkuar shumë më të madhe të parave se sa borxhin që ia kam pasur për veturë”, theksoi Mikullovci.

Prokuroria Themelore në Prishtinë i ngarkon Xhelal dhe Flamur Hoxhën se nga viti 2014 e tutje kanë kontraktuar dhe pranuar shuma joproporcionale të të hollave.

Ndërkaq i pandehuri Nuhi Hoxha sipas aktakuzës ka ndihmuar të pandehurit e lartpërmendur duke ua shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit.

Hamdi Jashari nga Prokuroria akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi në cilësinë e policit ka ndërmjetësuar në mes të të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve.

Seanca e radhës do të mbahet më 29 mars.

Raportet e KALLXO.com rreth këtij rasti mund t’i gjeni në këtë link.

KALLXO.com në janar të këtij viti shkroi për plagosjen e një dëshmitari të një procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për fajde në Prizren.

http://kallxo.com/plagoset-deshmitari-fajdeve-nje-dite-para-deshmise-ne-gjykate/

Më pas i plagosuri tregoi për KALLXO.com se si u sulmua me sëpatë e revole.

http://kallxo.com/ekskluzive-rrefehet-deshmitari-plagosur-gjyqit-per-fajde/

Redaktoi: Naser Sertolli