Foto: Ilustrim

Nuk ndahet qymyr për punëtorët e KEK-ut

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u shpreh kundër shpërndarjes së qymyrit për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Lluka tha se nëse një kërkesë e tillë vie nga bordi i KEK, ajo do të refuzohet nga MZHE.

“Qëndrimi im si Ministër i Zhvillimit Ekonomik është që të ndalohet dhënia si dhuratë e thëngjillit tek punëtorët e KEK-ut. Nëse vjen një kërkesë e tillë nga unë personalisht do të refuzohet. Për arsye se ne kemi thënë edhe më herët se duhet ta përmirësojmë ambientin në Prishtinë sidomos. Djegja e qymyrit pa filtër shkakton probleme të mëdha”, tha Lluka

Ai theksoi se punëtorët e KEK tani kanë më pak arsye për kërkim të qymyrit si dhuratë pasi kanë marrë rritje rroge.

“ Reagimet janë të pritshme por duke konsideruar se punëtorëve të KEK-ut i janë rritur rrogat për 100 euro të gjithëve, atëherë kjo pak a shumë e lehtëson atë barrën. Mund të bashkëpunojmë me KEK-un që të gjejmë forma të tjera të zëvendësimit përshembull ndoshta qoftë edhe me subvencione me dru apo diçka të tillë por thëngjilli nga ana jonë nuk do të jetë asesi i pranueshëm”, tha Lluka.

Korporata Energjetike e Kosovës ende nuk ka marrë kërkesë nga punëtorët e saj për shpërndarje të qymyrit që ka qenë praktikë në vitet e kaluara.
Ndarja e një sasie qymyrit për të gjithë punëtorët e korporatës në të kaluarën është bërë pas kërkesave të sindikatës së punëtorëve.Megjithatë, sipas KEK, një kërkesë e tillë për këtë vit do të shqyrtohej më në hollësi për shkak alarmit të ngritur për ndotjen e ajrit nga djegja e qymyrit për ngrohje.

Skender Bucolli, zëdhënës në KEK për KALLXO.com tha se një kërkesë eventuale për qymyr nga punëtorët do të shqyrtohej duke marrë parasysh edhe ngritjen e pagave për punëtorët.

“Për sa i përket praktikës së viteve të kaluara për shpërndarjen e qymyrit për punëtore të KEK-ut, në rast se eventualisht paraqitet një kërkesë e tille, ajo gjithsesi se do të shqyrtohet nga aspekti i mundësive financiare të korporatës si dhe vlerësimit te aftësisë blerëse të punëtorëve e cila është ngritur dukshëm falë angazhimit të menaxhementit të cekur më lartë”, tha Bucolli.

Ai po ashtu tregoi se lidhur me një kërkesë për qymyr do të merret pëlqimi i Qeverisë së Kosovës.
“Sido që të jetë, duke qenë të vetëdijshëm dhe përgjegjshëm për pasojat negative që ka djegia e qymyrit në cilësi te ajrit, duke përkrah djegien e qymyrit vetëm përmes kaldajave që kanë mundësi të reduktimit të emetimeve të dëmshme, një kërkesë e tillë eventuale do të shqyrtohet vetëm pas koordinimit dhe pëlqimit paraprak nga Aksionari (Qeveria e Republikës se Kosovës)”, tha Bucolli.

Albena Reshitaj, nga task-forca qeveritare për mbrojtjen e mjedisit ritheksoi  se vendimi për dhënien apo jo të qymyrit për punëtorë është në dorën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

“Unë do të jem në një takim me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka. Në periudhën e task-forcës ai është deklaruar se nuk do t’ju jep qymyr falas mirëpo vendim të shkruar nuk kam parë ende. Si task-forcë për uljen e nivelit të ndotjes kemi pasur obligim të kërkojmë prej secilës ministri t’i marrin përgjegjësitë në bazë kompetencave që kanë”, tha Reshitaj.

Ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës në mars ishin  mbledhur së bashku si një “task forcë” për të diskutuar në parandalimin e ndotjes së ajrit në Kosovë, gjendje kjo e cila ishte përkeqësuar gjatë stinës së dimrit sidomos në qytetin e Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.

https://kallxo.com/vendosen-masat-per-luftimin-e-ndotjes-se-ajrit/