Nga një seancë e gjykimit për vrasjen në Ditën e të Dashuruarve | Foto: KALLXO.com

Nuk Mbahet Seanca për Vrasjen në Ditën e Shën Valentinit

Nuk u zhvillua seanca e gjykimit të Besnik e Bajram Bedrollit që akuzohen për vrasjen e Urim Dushullovcit dhe plagosjen e Agim Selmanit.

Seanca ishte paraparë për sot, por për shkak të një gabimi teknik të Shërbimit Korrektues të akuzuarit nuk u sollën nga qendra e paraburgimit.

Kryetari i trupit gjykues njoftoi se seanca e radhës në këtë rast do të mbahet më 26 dhjetor.

Vrasja e Urim Dushullovcit dhe plagosja e Agim Selmanit ndodhi në një restorant në Banullë të Lipjanit më 14 shkurt 2015, në Ditën e Shën Valentinit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës  më 14 shkurt 2015 rreth orës 02:00 në fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit Urim Dushullovci kishte dalë për të festuar me shokët e tij në një lokal.

Pas një mosmarrëveshje mes Besnik e Bajram Bedrollit dhe Urim Dushullovcit te dera e lokalit në fillim ndodh fjalosja, e pastaj Urim Dushullovci por edhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla e Skender Ademi sulmohen me mjete të forta dhe me kondak të revoles.

Duke përshkruar zhvillimin e mëtejshëm të incidentit, në aktakuzë pretendohet se kur  Urim Dushullovci përdor armën e tij për të evituar  sulmin, i pandehuri Besnik Bedrolli me revolen e tij në afërsi prej rreth një metri shtie katër herë në drejtim të Dushulllovcit, i cili nga plagët e marra vdes në vendin e ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i plagosur me lëndime të rënda mbetet edhe i dëmtuari Agim Selmani, ndërsa të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes.