Seanca 'Syri i Popullit'

Nuk lejohet inçizimi i seancës te rasti ‘Syri i Popullit’

Në seancën e sotme në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, të akuzuarit sot priten ta japin mbrojtjen e tyre dhe i pari ka nisur ta jap mbrojtjen e tij  Avni Llumnica.

Ai tha se në këtë rast është viktimë.

“Ska asnjë arsye që të jem i përfshirë në këtë rast. Jam i pafajshëm, pra jam viktimë jo i akuzuar”, tha Llumnica.

Gjithashtu kryetarja e trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica, mori vendim dhe ndaloi video incizimet për mediat.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj 10 personave në lidhje me këtë rast më 28 shkurt të vitit të kaluar.

Pjesë e aktakuzës janë vepra penale duke filluar nga hakmarrje, ndihma, dhunimi, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirija Luzha janë pjesë e aktakuzës që i ngarkon për përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Murat Jashari po ashtu akuzohet për veprën penale të hakmarrjes lidhur me plagosjen e Azem Vllasit më 12 mars të vitit 2017.