Nuk Kalon Korniza Buxhetore e Suharekës

Rreth kësaj kornize u zhvillua debat i ashpër mes këshilltarëve të opozitës dhe zyrtarëve suharekas.

Asamblisti i AAK-së Reshat Selimaj akuzoi drejtorin e Shërbimeve Publike Nexhat Ramadanin se këtë kornizë buxhetore komuna ia ka përshtatur elektoratit të partisë në pushtet, ndërsa këtë e kundërshtoi ashpër drejtori Ramadani.

Më tutje gjatë mbledhjes së asamblesë këshilltari i PDK-së Jeton Rrakaqi tha se kjo parti nuk do ta votojë kornizën buxhetore.

“Ne si grup parlamentar i PDK-së jemi kundër kësaj kornize afatmesme buxhetore për arsye se asnjë prej kërkesave tona nuk janë përfillur në momentin kur janë bë propozimet,” tha Rrakaqi.

Leonard Shala nga LVV-ja akuzoi pushtetin lokal në Suharekë se projektet po i bën nga zyra pa konsultim me banorët e kësaj komune.

“Gjatë kësaj faze është organizuar vetëm një debat me qytetarët, ku njoftimi është bërë vetëm në uebfaqen e komunës që është informacion i mangët, nuk jemi njoftuar as ne, si Komitet për Politikë dhe Financa,” tha Shala.

Por kryetari i Suharekës Sali Asllanaj mohoi se projektet në kornizën buxhetore janë hartuar vetëm për elektoratin e LDK-së.

“Nuk kisha dashtë me menduar kurrë se këtë rrugë po e shtrojmë për hatër të LDK-së, sepse për mua dikush që më ka dhënë votën i LDK-së, nesër pres me ma dhënë i AAK-së, PDK-së. Betim me punë cilësore nëse mundem me i bind,” tha Asllanaj.

Por korniza afatmesme buxhetore nuk kaloi në kuvendin  komunal pasi për të votuan vetëm 11 asamblistë, derisa 17 ishin kundër.

Debat kishte edhe për rregulloren për vendosjen, ndërtimin dhe largimin e objekteve të përkohshme në pronë publike–private deri në një vit, ku kjo rregullore kaloi vetëm me votën e dyfishtë të kryesuesit, pasi që rezultati i votave ishte i barabartë 13 për e 13 kundër.

Në asamblenë e Suharekës nuk janë të rralla debatet pozitë-opozitë. Pas njërit prej tyre po gjatë qershorit, kryetari i Suharekës Sali Asllanaj e pati vështirë ta gjejë derën e daljes nga salla e kuvendit komunal.

http://kallxo.com/sali-asllanaj-nuk-mund-ta-gjeje-deren-video/