Nuk ka kuorum në Kuvend për kontratën me 'Contour Global'

Nuk janë votuar rekomandimet nga interpelanca me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Social Demokrat, për nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar me 20 dhjetor 2017.

Nga 61 deputetë sa ishin në sallë, vetëm 56 votuan nga të cilët 36 ishin për, 16 kundër dhe 4 abstenime.

Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka kuorum të mjaftueshëm dhe votimi i rekomandimeve mbetet për ‘një moment kur të bëhen votat”.

Para se të dali në votim, për rekomandimet, deputeti i PSD-së, Dardan Sejdiu shpjegoi se pse duhet të shpëkutet kontrata me “Contour Global”.

“Kostoja e këtij ndërtimi është larg numrit që pretendohet jo prej 1.3 miliard euro por edhe më shumë. Për më shumë ky dokument kjo kontratë kërkon nga ne që t’i garantojmë cilësi të qymyrit të ujit, çmim për 20 vite të ardhshme dhe të gjitha këto ti bartim me anë të një ndërmarrje të re publike, një ndërmarrje e cila ka veç një detyre të blej energjinë që e prodhon Contour Global ta blej me 80 euro megatëat në orë dhe këtë çmim ta plasoj në treg, por ky çmim është për 30 euro më i lartë. Edhe instituti GAP e kam pyet kryetarin edhe INDEP edhe ZRRE e kanë dëshmuar me analizat e tyre që çmimet në fatura do të jetë 52% më i lartë se sa që i kemi tash. Këto fatura të energjisë do të shfaqin jo vetëm tek ne si qytetar të rëndomtë por edhe të biznesit. Me propozimin e grupit parlamentar të PSD-së, propozojmë tri rekomandime”, shpjegonte Sejdiu.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se duhet të ndryshohet  pika e parë për përpilimin e një raporti gjithëpërfshirës për koston ekonomike e financiare.

“Ne kemi pritur si grup parlamentar  që Dardan Sejdiu do të dalë me kërkesën për tërheqje nga kjo marrëveshje pasi që të gjithë e dimë që marrëveshja në fjalë është shumë e dëmshme dhe do t’ju kushtojë qytetarëve. Nuk duhet të vendoset në votim diçka në të cilën në asnjë pikë nuk kërkon që të tërhiqemi nga një marrëveshje kriminale, kërkojmë nga grupi që përfaqësohet nga Dardan Sejdiu të ketë harmonizim dhe të vendoset si pikë e parë tërheqja nga kjo marrëveshje”, tha Haxhiu.

Dardan Sejdiu kërkoi që të takohet me kryetarët e subjekteve politike për t’u dakroduar në lidhje me propozimin.

“Kjo marrëveshja ndalet me votë kur vie garancioni i sovranitetit. Sot neve si deputet na duhet me i marr të gjitha materialet e duhura që secili deputet të binden që duhet të shkëput kjo marrëveshje. Garancioni i sovranitetit e ndal këtë marrëveshje jo rezoluta. Propozoj edhe njëherë që secili grup parlamentar të jap një emër dhe të sjellim një propozim”, tha Sejdiu.

Fatmir Xhelili nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se nëse bëhet shkëputja e marrëveshjes me “Contour Global humbet serioziteti i shtetit të Kosovës.

“Më ka pëlqyer shumë laborimi dhe sqarimi i Sejdiut për projektin e termocentralit por kjo është vetëm një anë e medaljes. Pse po lidhet te çmimi kur nuk ke me dit qysh ka me qenë çmimi pas 10 viteve. Çka nëse ne e prishim një kontratë, ku po mbetet serioziteti i Kosovës. Cilat janë investimet që duhet me i ba qeveria në Kosova B dhe A?”, tha Xhelili.

Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha se nuk duhet të ketë shkëputje të kontratës.