Pamje nga seanca e gjykimit për vrasje e vëllezërve Ramaj – Foto: KALLXO.com

Nuk Hapen Video-Incizimet e Momentit të Vrasjes së Dyfishtë

CD-të me video-incizimet e kamerave të vendit të ngjarjes ku ndodhi vrasja e dy vëllezërve Ramaj vjet në Shaptej të Deçanit, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nuk u hapën që të shfaqeshin përmes projektorit gjatë seancës gjyqësore.

Gjatë procedimit të provave materiale në gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj, vitin e kaluar në Shaptej të Deçanit, vrasje për të cilën akuzohen babë e bir, Salih e Durim Lushaj nga i njëjtit fshat, prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj, i ka propozuar trupit gjykues që filmimet e kamerave të vendit të ngjarjes të shfaqen gjatë seancës përmes video-projektorit.

Ky propozim i prokurores u aprovua nga trupi gjykues.

Mirëpo, laptopi i gjykatës nuk i hapi as CD-të e prokurores as ato të trupit gjykues.

Më pas u vendos që gjatë seancës së nesërme të këtij gjykimi, pamjet e kamerave të barten me USB, pasi që me CD ishte e pamundur hapja e tyre.

Gjatë seancës së sotme, avokati Gëzim Kollçaku, që mbron të akuzuarin Durim Lushaj, i propozoi trupit gjykues që ndaj të mbrojturit të tij të bëhet ekzaminim psikiatrik.

Avokati Kollçaku tha se po e ripërsërit këtë kërkesë pasi që ka argumente të mjaftueshme që duhet bërë një ekzaminim i tillë.

Ai tha se secilit person që ka kryer vrasje duhet t’i kryhet ekzaminim psikiatrik, duke e bazuar këtë edhe në një libër shkencor, të cilin avokati ia prezantoi edhe trupit gjykues.

Por këtë propozim e kundërshtoi prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj, sepse sipas saj, në disa raporte të kërkesës së avokatit mbrojtës, ajo tha se të gjitha kanë një numër serik, edhe pse ndryshojnë vitet.

Mendim të njëjtë sikurse kolegu i saj, Gëzim Kollçaku, pati edhe avokatja e Salih Lushajt, Kosovare Kelmendi. Ajo përmendi një rast që përshkruan psikopatologjinë gjyqësore.

“Ndodhin tri veprime, të ikë, të shtanget apo të veprojë”, tha avokatja Kelmendi derisa foli për veprimet e mundshme gjatë një konflikti.

Trupi gjykues, lidhur me propozimin e avokatit Kollçaku tha se pas konsultimit do merret edhe aktvendimi për këtë çështje.

Gjatë seancës u përmend nga prokurorja se i akuzuari Salih Lushaj i kishte larë duart pasi ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Gjakovës pas incidentit në Shaptej.

“Në momentin e parë, si kanë shkuar në Spitalin e Gjakovës, e kam thirrur Policin edhe ju kam thënë mos ta lejojnë Salih Lushajn t’i lajë duart (për shkak të gjurmëve të barutit). Policët më kanë thënë se sendi i parë e ka bërë (Salih Lushaj) i ka larë duart”, tha prokurorja.

Ajo tha se madje as rrobat e tij që kishte pasur veshur atë ditë Salih Lushaj nuk gjenden askund.

Por këto pretendime të prokurores i  kundërshtoi kategorikisht vetë i akuzuari Salih Lushaj.

Ai tha se rrobat ia kishin shqyer gjatë trajtimit mjekësor derisa po ia qepnin kokën nga lëndimet që kishte marrë.

“Duart m’i kanë pastruar me fasha se i kam pasur me gjak. Kurse maicën ma kanë shqyer në spital se e kam pasur me gjak edhe e kanë gjuajt diku aty ata (ekipi mjekësor)”, tha Lushaj.

Sot në këtë seancë ka dëshmuar edhe eksperti i balistikës Qendrim Topalli, i propozuar të dëgjohet nga mbrojtja e të akuzuarve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.