Nuk e pranon fajësinë i akuzuari për lëshim të certifikatave për aftësim profesional

Në Prizren ka dalë para gjyqit Bashkim Sylejmani, i akuzuar se ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sylejmani po akuzohet se si zyrtar në institucion aftësues ”Dituria”, në fillim të vitit 2015, ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore, ashtu që ka lëshuar certifikatë për aftësim profesional, duke pranuar një shumë të hollash prej 250 euro.

Prokuroria e Prizrenit pretendon se Bashkim Sylejmani ka lëshuar këso certifikata edhe pse nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

Në seancën e sotme është lexuar aktakuza nga prokurori Mehdi Sefa.

Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Më tutje, gjyqtarja e rastit Raima Elezi caktoi seancën e radhës për datën 29 nëntor, kur i akuzuari dhe mbrojtësi e tij do të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën.