Nuk Duhet të Mohohet Gjenocidi në Srebrenicë

Pavarësisht vendimeve gjyqësore ndërkombëtare, injoranca dhe mohimi i gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995 është ende i përhapur në Serbi, u tha në një debat në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd të hënën në mbrëmje.

Nemanja Stjepanoviq nga Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd tha se 21 vjet pas ndodhjes së gjenocidit, të gjitha faktet për masakrat janë përcaktuar në detaje falë dëshmive dhe provave në gjykatë.

Por shumë njerëz ose nuk e dinë, ose nuk duan të dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, tha Stjepanoviq në debatin me temë “Shkolla e Dijes: Srebrenica, Harta e Shoqërisë gjatë dhe pas Gjenocidit”.

“Injoranca dhe mungesa e informacionit mund të kenë qenë justifikim për të mos pranuar krimet në atë kohë. Sot nuk ka më justifikime. Çdo mohim i krimit të Srebrenicës do të thotë miratim për këtë,” tha Stjepanoviq.

Edhe pse OKB-ja e deklaroi Srebrenicën një “zonë e sigurt”, qyteti u pushtua nga forcat serbe të Bosnjës në korrik 1995 dhe më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në ditët që pasuan.

Masakrat janë përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe gjykata shtetërore boshnjake. Por ky përkufizim është kontestuar fuqishëm nga zyrtarët serbë dhe ata serbë të Bosnjës, të cilët pretendojnë se krimi nuk përbën gjenocid.

Në mars të vitit 2010, parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë që dënon masakrën e Srebrenicës, por nuk arriti ta quajë krimin gjenocid.

Korrikun e kaluar, një rezolutë që dënon masakrën e Srebrenicës më 1995 si gjenocid nuk arriti të miratohej në OKB, pasi aleatja e Serbisë, Rusia, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, votoi kundër saj.

Dubravka Stojanoviq, një historiane nga Beogradi, tha se pranimi i krimeve të Srebrenicës si një akt gjenocidi do të përfaqësonte një lëvizje larg nga qëndrimi se vetëm serbët ishin viktima.

“Pranimi i gjenocidit të Srebrenicës prek shtresat më të thella të identitetit serb,” tha Stojanoviq.

“Nëse do të njihej, e gjithë perspektiva historike do të ndryshohej. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se të mësuarit mbi Srebrenicën është një mësim i rëndësishëm në histori, ” shtoi ajo.

20 vjetori i përkujtimores së kësaj ngjarje korrikun e kaluar shkaktoi tensione si në Bosnjë dhe Hercegovinë ashtu edhe në Serbi. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mori pjesë në ceremoni, por u sulmua nga disa prej pjesëmarrësve në të.

Një ngjarje e planifikuar e quajtur #sedamhiljada, e cila kishte për qëllim të mblidhte në mënyrë simbolike 7,000 njerëz – që përfaqëson numrin e përafërt të vdekjeve në Srebrenicë – jashtë ndërtesës së parlamentit në Beograd vitin e kaluar, nuk u zhvillua pasi Ministria e Punëve të Brendshme ndaloi tubimet e planifikuara me rastin e 20-vjetorit të masakrave më 11 korrik, duke cituar rreziqet e sigurisë.

Por rreth 200 njerëz e sfiduan ndalimin e tubimit dhe zhvilluan një përkujtimore duke ndezur qirinj një mbrëmje më parë, duke shkaktuar një kundër-protestë nga përkrahësit e krahut të djathtë.

Anita Mitiq e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, një nga organizatoret e përkujtimores, u akuzua për kundërvajtje nga ministria e brendshme, e cila pretendoi se ajo shkeli ligjin duke organizuar një tubim publik pa njoftuar paraprakisht autoritetet.

Mitiq pohoi se çështja kundër saj ishte një tjetër shembull i politikës së autoriteteve për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.