Novi Pazari e shpallë Erdoganin ‘Qytetar Nderi’

Qyteti serb i Novi Pazarit e ka dekoruar presidentin e Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, me titullin ‘qytetar nderi’, si pjesë e festimeve të përvjetorit të 557-të të këtij qyteti.

Kuvendi i qytetit të Novi Pazarit, në jug-perëndim të Serbisë, vendosi t’i japë presidentit turk, Erdogan titullin ‘qytetar nderi’ në seancën e ditës së premte, në datën kur festohet edhe përvjetori i 557-të i qytetit.

“Erdogan është dekuruar për shkak të qëndrimit të veçantë dhe kontributit për zhvillimin e Novi Pazarit”, thuhej në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të qytetit pas seancës.

Kryetari i bashkisë së Novi Pazarit, Nihat Bishevac, tha se “projekte të shumta, investime në infrastrukturë dhe ekonomi dhe përpjekje për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit tonë janë vetëm disa nga arsyet për këtë gjest simbolik”.

Novi Pazari ndodhet në rajonin musliman kryesisht boshnjak të Sanxhakut, në jug të Serbisë.