Noteri i Akuzuar Ndihet i Pafajshëm

Noteri Agim Sylejmani nga Vitia ka thënë se ndihet i pafajshëm rreth akuzës që i ngarkohet nga prokuroria – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai u deklarua rreth fajësisë në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku aktakuzën e ka paraqitur prokurori Afrim Shefkiu, i cili e ka zëvendësuar prokurorin e rastit Shaban Spahiu.

Prokuroria Themelore në Gjilan e akuzon noterin Sylejmani se më 21 mars të vitit 2014, në cilësinë e zyrtarit, përkatësisht noterit, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, ka keqpërdorur pozitën duke përpiluar dhe vërtetuar një kontratë lidhur me shitblerjen e një veture.

Gjithnjë sipas prokurorisë, noteri ka lidhur një kontratë për shitjen e një veture në mes të dy personave, dhe ajo kontratë përmbante një klauzolë që vetura nuk ishte peng, përkundër faktit se automjeti në fjalë kishte dy regjistrime pengu më parë, me çka ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.