Noterët dhe Gjykatësit Nuk Mund t’i Verifikojnë Trashëgimtarët

Noterët e gjykatësit e kanë të pamundur të zbulojnë nëse familjarët tentojnë t’i fshehin trashëgimtarët femra gjatë procedurës së zgjidhjes së trashëgimisë.

Një hulumtim i KALLXO.com zbulon se kompetentët të cilët merrem me trajtimin e trashëgimisë, në këtë rast noterët dhe gjykatësit, nuk kanë qasje në regjistrat civilë.

Në mungesë të kësaj qasjeje, noterët dhe gjykatësit për të zgjidhur trashëgiminë bazohen vetëm në Aktvdekje, dokument ky i cili jo rrallëherë është me të dhëna të mangëta.

Siç shpjegojnë noterët e gjykatësit gjatë përpilimit të aktvdekjes meshkujt tentojnë t’i fshehin gratë si trashëgimtare në mënyrë që atyre t’u jepet e drejta automatike në trashëgimi.

Të dhënat e siguruara tregojnë se ky veprim edhe pse është kundërligjor dhe i sanksionuar me Kodin Penal vazhdon të jetë prezent.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com, vetëm gjatë vitit 2015 në Gjykatën e Ferizajt janë hapur gjashtë raste gjyqësore, në të cilat gratë pretendojnë se u janë shkelur të drejtat në trashëgimi.

Gjyqtarët dhe noterët që merren me shqyrtimin e rasteve të trashëgimisë megjithëse mohojnë të kenë pasur ndonjë rast të deklarimit të rremë, pajtohen se edhe po të kishte pasur nuk kanë mekanizma për ta zbuluar këtë vepër.

Gjyqtarja në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Drita Rexhaj, thotë se po të kishte pasur raste të tilla ato do të denoncoheshin.

“Deri më tani nuk kam pasur raste që të jenë fshehur trashëgimtarët me qëllim të përjashtimit nga trashëgimia, sepse rastet e tilla do të denoncoheshin në organin kompetent”, tha Rexhaj.

Megjithatë, Rexhaj thotë se ka pasur raste kur në dokumentin e aktvdekjes janë dashur ndërhyrje, e këtë kompetencë ua garanton Ligji për Procedurën Jokontestimore.

“Gjatë punës ka pasur raste kur gjykata ka përpiluar aktvdekjen. Po ashtu ka pasur raste edhe që është plotësuar aktvdekja në rubrika të caktuara, të cilat kanë qenë të paplotësuara”, tha Rexhaj.

Se nuk ka kanë pasur raste të deklarimit të rremë në procedurë trashëgimore thonë edhe dy noterët që i intervistuam. Por, për dallim nga gjyqtarët që e kanë kompetencë përmirësimin apo përpilimin prej fillimit të aktvdekjes, noterët nuk e kanë as këtë.

Kryetarja e Odës së Noterëve të Kosovës, Arbena Shehu, thotë se në rastet kur dyshojnë në ndonjë rast, kërkojnë informacion mbi rastet konkrete.

“Ne rast se dyshojmë në  ndonjë rast të fshehjes të trashëgimtarëve ligjorë, shpesh dhe pyesim (Kosova  është e vogël dhe njihemi mes veti). Ne nuk procedojmë me trashëgiminë, udhëzojmë klientin se fshehja e trashëgimtarëve ligjor konsiderohet vepër penale”, tha Shehu.

Edhe noteri tjetër që KALLXO.com e intervistoi, Sefadin Blakaj (njëherësh profesori i të Drejtës së Detyrimeve në Universitetin e Prishtinës), thotë se nuk kanë ndonjë mekanizëm kundrejt deklarimit të rremë nën betim, por thotë se është i vetëdijshëm për ndërlikueshmërinë e situatës.

“Fshehja e trashëgimtarëve paraqet një situatë të ndërlikuar ligjore, e cila mund të nënkuptojë mundësinë e ekzistimit të elementeve të inkriminimit penal. Prandaj, në situata të tilla ka baza për ushtrimin e një kallëzimi penal nga noteri”, tha Blakaj.

Blakaj thotë se noterët përkundër se shqyrtojnë rastet e trashëgimisë, hezitojnë të merren me këto raste, për shkak se ka probleme të natyrës procedurale.

Përkundër faktit se dy noterët dhe gjyqtarja e intervistuar nga KALLXO.com deklarojnë se nuk kanë pasur raste kur para tyre janë fshehur trashëgimtarët, të tre janë të vetëdijshëm se edhe po të kishte pasur raste të tilla, mekanizmat e tyre për identifikim të këtyre rasteve janë inekzistentë.

Ndërsa, avokatja, Albana Kelmendi, e cila ka përfaqësuar disa raste në procedura të shqyrtimit të trashëgimisë, thotë se përpos përgjegjësisë që rrezikojnë ata që deklarohen rrejshëm nën betim përgjegjësi penale mund të kenë edhe personat zyrtarë.

“Kodi Penal parasheh veprën “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre dhe kjo e obligon çdo person që të lajmërojë veprën penale”, tha Kelmendi.

Avokatja thotë se nëse zbulohet deklarimi i rrejshëm nga personat zyrtarë që merren me shqyrtimin e trashëgimisë dhe nuk e lajmërojnë kryejnë vepër penale.

“Në rastin konkret lidhur me fshehjen e trashëgimtarëve të mundshëm nëse në çfarëdo mënyre personi zyrtar përkatësisht gjyqtari, prokurori, noteri dhe personat e tjerë e kanë zbuluar fshehjen e trashëgimtarëve në ndonjë procedurë të zhvilluar para organit kompetent janë të obliguar lajmërimin/kallëzimin e veprës penale të cilën e ka zbuluar gjatë ushtrimit të detyrës së tij”, tha Kelmendi.

Cila Është Zgjidhja ?

Gjyqtarja në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Drita Rexhaj, si zgjidhje e cila gjyqtarët por edhe noterët do t’i mbronte edhe t’i pajiste me një mekanizëm për të luftuar këtë dukuri e sheh krijimin e një certifikate familjare.

“Mbajtja e të gjitha të dhënave tek Zyra e Gjendjes Civile, në formë të Certifikatës Familjare nga e cila do të rezultonin të gjitha të dhënat komplete të trashëgimlënësit si: trashëgimtarët, masa trashëgimore dhe gjykata të ketë qasje në këtë Certifikatë Familjare, për gjykatën do të ishte lehtësim”, tha Rexhaj.

Rexhaj thekson se po të krijohej kjo certifikatë, mundësia e dërgimit të aktvdekjes së paplotësuar dukshëm do të jetë më e vogël ose nuk do të ishte fare.

Edhe Kryetarja e Odës së Noterëve të Kosovës si mekanizëm për mbrojtjen e noterëve në rastet e shqyrtimit të trashëgimisë parasheh që noterëve t’u jepet më shumë qasje në dokumentet publike.

“Ne nuk kemi asnjë mekanizëm mbrojtës që të mund t’i verifikonim deklaratat e trashëgimtarëve ligjorë për faktin që nuk kemi qasje në data bazën e regjistrave civilë. Preventiva në këto raste do ishte sikur të kemi qasje në regjistrat civilë”, tha Arbena Shehu.

Shehu megjithëse deklaron se noterët nuk kanë asnjë mekanizëm mbrojtës thotë se në të gjitha rastet përgjegjësia penale nëse pala deklaron rrejshëm bie mbi dhënësin e deklaratës.

KALLXO.com lidhur me numrin e rasteve të deklarimit të rremë nën betim i ka kërkuar informacion edhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës, por për më tepër se dy javë nuk ka pranuar përgjigje.