Marrëveshja për Diplomat Nis të Zbatohet nga 1 Marsi
Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave mes Kosovës dhe Serbisë do të fillojë të zbatohet nga data 1 mars. Kështu janë dakorduar delegacionet e të dy vendeve gjatë javës së kaluar në Bruksel.
Sipas ministres për Dialog, Edita Tahiri, kjo është një marrëveshje e re për diplomat, është më e zgjeruar se ajo e vitit 2011, sepse përfshinë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit.
“Me këtë Marrëveshje, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të njohin reciprokisht këto diploma: diplomat e shkollës fillore, të mesme, shkollimit vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas Kornizës së Kualifikimeve Evropiane (EQF), diplomat bachelor, master dhe doktoraturat” ka thënë kryenegociatorja kosovare në dialogun që po zhvillohet në Bruksel.
Njohja reciproke e diplomave bëhet përmes procesit të certifikimit ndërkombëtar të diplomave nga një palë e tretë dhe në këtë rast këtë do të bëjë Asociacioni i Universiteteve Evropiane (European Association of Universities – EAU) dhe pastaj diplomat e certifikuara konsiderohen të njohura nga të dyja shtetet.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, për njohjen e diplomave të shkollës fillore, të mesme dhe ato profesionale (që është risi në këtë marrëveshje) do të përzgjidhet një organizatë ndërkombëtare, e cila do të bëjë certifikimin ndërkombëtar.
Kandidatët e interesuar për njohjen e diplomave do të aplikojnë pranë zyrave të organizatës SPARK në të dyja shtetet dhe më tej organizata do ta realizojë procesin e certifikimit ndërkombëtar.
Njohja e diplomave është e ndarë në dy grupe, në njohjen profesionale dhe akademike. Pas certifikimit ndërkombëtar, njohja profesionale do të realizohet nga institucionet e shteteve përkatëse në afat prej 90 ditësh dhe me një pagesë prej 50 eurosh apo në valutë tjetër ekuivalente me shumën prej 50 eurove.
Njohja profesionale e diplomave do të shërbejë për qëllime punësimi, duke përfshirë edhe punësimin në institucionet qeveritare në shtetin përkatës.
Njohja akademike e diplomave do t’u shërbejë studentëve për të vazhduar studimet e mëtejmë në shtetin përkatës, ku procedurat do të realizohen nga secili institucion i arsimit të lartë i shtetit përkatës të cilës i drejtohet aplikuesi dhe afati i realizimit të njohjes është 5 muaj.
Po ashtu, të gjithë kandidatët të cilët tashmë kanë kryer procedurat e njohjes nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA) munden menjëherë pas 1 marsit 2016 të aplikojnë për njohje nga institucionet e larta arsimore të shtetit përkatës.
Kandidatët gjatë aplikimit për njohje duhet të theksojnë se çfarë njohje dëshirojnë, profesional apo akademike. Të gjitha udhëzimet për procedura do të merren nga zyra implementuese përkatësisht zyrat e SPARK-ut në Kosovë dhe në Serbi, njofton Qeveria e Kosovës.
Marrëveshja për diplomat vlen vetëm për diplomat që janë marrë nga universitetet e akredituara në shtetet përkatëse, Kosovë dhe Serbi.
Sipas ministres Tahiri, kjo Marrëveshje është veçanërisht e rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse shumica e tyre kanë studiuar dhe diplomuar në Kosovë dhe njohja e diplomave u duhet në mënyrë që të kthehen në vendlindje për të ndihmuar zhvillimin e komunitetit të tyre etnik atje, duke u angazhuar në jetën institucionale dhe sidomos në fushën arsimore për të përgatitur gjeneratat e reja.
Ajo ka inkurajuar kuadrot universitare që të kthehen në Luginën e Preshevës, sepse kështu ata japin ndihmën më të mirë për zhvillimin dhe emancipimin politik, shoqëror dhe ekonomik të një kombi dhe kjo është mënyra e duhur për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga atje.
Ministrja Tahiri ka theksuar po ashtu se moszbatimi i kësaj Marrëveshje nga Serbia për pesë vjet me radhë, që nga viti 2011, kur është arritur Marrëveshja, ka pasur për qëllim që të pamundësojë perspektivën dhe punësimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët shkollohen në universitetet e Republikës së Kosovës. “Politikat e tilla diskriminuese të Serbisë të dëshmuara edhe me sabotimin e zbatimit të kësaj Marrëveshje, unë i kam denoncuar vazhdimisht në takimet me Bashkimin Evropian”, citohet të ketë thënë ministrja Tahiri, e cila ka shfaqur shpresën se BE-ja nuk do të lejojë zvarritjet e mëtejme nga ana e Serbisë për të përmbushur obligimet e saj.
Vitin e kaluar, “Gazeta Jeta në Kosovë”, ka publikuar një storje të hollësishme rreth çështjes së njohjes së diplomave mes Kosovës dhe Serbisë.