Foto: Atdhe Mulla

Njeriu Ynë: Trashëgimia e Richard Holbrooke në Kosovë

Në librin Njeriu Ynë; Richard Holbrooke dhe fundi i shekullit Amerikan (origjinal: Our Man – Richard Holbrooke and the end of American century), gazetari dhe novelisti amerikan George Packer hedh dritë mbi jetën e diplomatit Richard Holbrooke i cili la gjurmë në historinë e re të Kosovës dhe Ballkanit.

“Po ju shkruaj të ju informoj se jam i gatshëm të takohem me Sllobodan Milloseviqin, pa ndonjë parakusht, por me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Andaj, ju inkurajoj që të angazhoni z.Richard Holbrooke si ndërmjetësues.” Kur lideri politik i Kosovës Ibrahim Rugova e dërgoi këtë letër në mars të 1998 në adresë të sekretares së shtetit të ShBA Medeleine Albright, ai ishte në dijeni të rolit historik që kishte luajtur Richard Holbrooke në arritjen e marrëveshjes së Deyton-it e cila i dha fund luftës së Bosnjës.

Por, Rugova nuk ishte i vetëdijshëm se po i kërkonte sekretares Albright që të angazhonte në Kosovë njërin ndër kundërshtarët më të mëdhnj politikë të saj brenda administratës së Clinton. Albright e urrente idenë që Holbrooke të angazhohej në Kosovë. Përkundër se ishte një diplomat i suksesshëm dhe me karrierë të gjatë shërbimi që nga lufta në Vietnam, për shkak të temperamentit të tij, Holbrooke urrehej nga pothuajse të gjithë kolegët e tij në shërbimin e jashtëm të ShBA. Holbrooke gjithashtu e nënçmonte Albrightin, të cilën e konsideronte si të paaftë për pozitën që mbante. Posti i ëndrrave për Holbrooke, ai i Sekretarit të Shtetit, i ishte mohuar pikërisht nga Albright, e cila ishte zgjedhur në atë pozitë me insistim të ish-zonjës së parë, Hillary Clinton.

Ashtu siç kërkonte Rugova në letrën e tij dërguar në mars të 1998, Holbrooke u emërua si i dërguar special i presidentit Clinton për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Në qershor 1998, në vatrat e luftës së Kosovës, ai takoi përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte ndër të paktët nga delegacioni i huaj i cili para se të hynte në odën e takimit, zbathi këpucët.

Kjo u mor si shenjë respekti për mikpritësit, por edhe mund të ishte një problem shëndetësor që po e mundonte Holbrooke prej shumë vitesh. Për shkak të mbipeshës dhe sëmundjes së zemrës, këmbët e tij ënjteshin dhe nuk mund t’i duronte këpucët. Për shumë nga kolegët e tij ishte bërë i mërzitshëm kur vendoste këmbët pa këpucë mbi tavolinë të takimeve, ose kur i hiqte çorapet për t’i terur në gjepat e ulëseve të aeroplanit.

FOTO: Atdhe Mulla

Në librin e tij, George Packer nuk jep detaje për angazhimin e Holbrooke si përfaqësues special në Kosovë. Nuk jepen prapaskenat e aranzhimit të takimit me përfaqësuesit e UÇK, e as me liderët politik të Kosovës. Takimi i Holbrooke më luftëtarët e UÇK ishte një pikë kthese në qëndrimet e politikës amerikane kundrejt UÇK-së. Paraardhësi i Holbrooke në këtë detyrë, Robert Gelbard, nuk ishte takuar me UÇK dhe për më tepër këtë i kishte etiketuar si formacion terrorist.

Holbrooke ishte i fundit që e takoi Miloseviq para sulmeve të NATO-s mbi Serbinë që filluan më 24 mars 1999. Duke mos u pajtuar me dështimin e tij për ta bindur Milosheviqin për marrëveshje, Holbrooke kërkoi nga Albright që të vazhdonte qëndrimin në Beograd dhe të vazhdonte negociatat, Albright e kishte urdhëruar që të largohet nga aty më së largu në mesditë. Nuk do t’i luteshin më shumë kasapit të Ballkanit. Roli i Holbrooke në luftën e Kosovës ishte aq margjinal sa ai filloi t’i referohej me ironi si “lufta e Medeleine”.

Për dallim nga Kosova që zë vend margjinal në biografinë e Goerge Packer për Richard Holbrooke, Bosnja zë hapësirë të konsiderueshme. Kjo edhe për faktin se në Bosnje, Holbrooke e arriti kulmin e karrierës së tij prej diplomati.

George Packer përshkruan në mënyrë mahnitëse fillet e konfliktit në ish-Jugosllavi. Sipas Packer, “dilema e Ballkanit është se sa mbrapa të shkohet? Nacionalistët serbë gjithnjë kthehen mbrapa tek 1389, tek lufta kundër Perandorisë Osmane në fushën e Kosovës. Presidenti kroat Franjo Tuxhman dëshironte të fillonte që nga rënia e Perandorisë Romake. Presidenti boshnjak Alija Izetbegoviq e filloi autobiografinë e tij duke treguar se si Bosnja ishte përmendur që nga viti 958 i kohës tonë.”

Por, sipas Packer, nacionalizmi serb mori hov edhe nga një akt vetëkënaqësie i cili shkoi keq për një serb të Kosovës. Në vitin 1985, përderisa një serb i Kosovës po tentonte të vetëkënaqej duke u ulur në shishe, akti i shkoi keq dhe shishja u thye. Në spital ai do të deklaronte se ishte dhunuar me shishe nga shqiptarët. Duke marrë këtë akt si shkas, akademikët serbë në vitin 1986 shkruan një elaborat i cili do të hidhte në letër pretendimet nacionaliste serbe, çfarë do të sillnin luftërat e përgjakshme ballkanike.

Libri i George Packer jep informacione të rëndësishme mbi prapaskenat e marrëveshjes së Deyton, kur palët në konfliktin e Bosnjës vizatonin kufijtë në faculeta dhe Holbrooke duhej të shërbente si korrier i këtyre faculetave mes Millosheviqit dhe përfaqësuesve politikë të Bosnjës. Andaj, libri i Packer duhet të jetë lexim i detyrueshëm për ata politikanë të Ballkanit dhe më gjerë të cilët asistojnë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Holbrooke ishte një idealist sa i përket qëndrimit të tij në politikën e jashtme. Duke parë tmerret e luftës së Vietnamit, sidomos vuajtjet e refugjatëve, ai insistonte gjithnjë për një përfshirje më të madhe të politikës amerikane në vatrat e krizës. Ai dhe gjenerata e tij që shërbenin në Partinë Demokratike klasifikoheshin si “pragmatist neo-Wilsonian”, të cilët lobonin për një qasje liberale në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ishte idealizmi i Holbrooke i cili e shtyu atë që të lobonte për të drejtat dhe pranimin e refugjatëve nga konflikti i Kamboxhias e deri tek ai i Kosovës.

Ishte Holbrooke dhe bashkëpunëtorët e tij që në mandatin e Presidentit Carter përfshinë gjendjen e të drejtave e njeriut si pjesë të përhershme të politikës së jashtme amerikane, politikë nga e cila do të përfitonte Kosova në fund të shekullit 20.

Holbrooke ishte avokat i angazhimit më të madh të Presidentit Clinton në politikën e jashtme. George Packer e ndërlidh karrierën e Holbrooke me ngritjen dhe rënien e politikës së jashtme amerikane. Sipas Packer, vitet e ’90 ishin periudha e artë amerikane, koha kur ShBA dolën triumfuese nga Lufta e Ftohtë, periudhë e cila përfundoi me sulmet e 11 shtatorit në Kullat e New York-ut. Ishte fat i madh që çështja e Kosovës u zgjidh në këtë periudhë, pas përfundimit të luftës së Bosnjës, para sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Richard Holbrooke vdiq në detyrë më 13 dhjetor 2010, si Përfaqësues Special për Afganistan dhe Pakistan. Në vitet e fundit të karrierës së tij ai ishte i përbuzur nga administrata e Presidentit Obama. Holbrooke kishte shpëtuar nga shkarkimi për faktin se sekretarja e shtetit Hillary Clinton nuk bënte ballë të ia komunikonte atij kërkesën e Obamas për largim nga pozita e Përfaqësuesit Special për Afganistan dhe Pakistan.

Edhe pse kishte gati pesë dekada shërbim për shtetin, duke përfshirë edhe gjashtë vite në Vietnam, Pentagoni refuzoi kërkesën e familjes së tij që ai të varrosej në varrezat e Arlington, aty ku prehen eshtrat e veteranëve të luftës. Hiri i trupit të tij nuk gjeti një varr deri më 2015.

George Packer e portretizon Richard Holbrooke me të gjitha virtytet dhe të metat e tij. Sipas Packer, nëse lë anash elementin destruktiv të Holbrooke, ju do të mbysnit atë element i cili e bëri atë gati të madhërishëm. Andaj, lexuesi nuk mund të kuptonte kurrë përse Holbrooke nuk e arriti ëndrrën e tij për tu bërë Sekretar Shteti, nëse nuk do të mësonit edhe për të metat e karakterit të tij.

Packer arrin aq mirë të përshkruaj Holbrooke, aq sa lexues bashkëndjenë me vuajtjet personale dhe profesionale të Holbrooke. Veçanarisht mbresëlënës është përshkrimi i detajuar i minutave të fundit të jetës së Holbrooke, të cilat mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit edhe pas përfundimit të librit.

Edhe pse Holbrooke ndihmoi në përfundimin e luftës në Bosnje, sot nuk ekziston asnjë rrugë, shesh apo statujë në emër të tij. Sipas Packer, nuk ekziston asgjë në emër të këtij diplomati i cili është meritor që njerëzit sot pijnë kafe turke në Bashçarshinë e Sarajavës. Në Bosnje kujtohet pa mirënjohje, në Serbi kujtohet me urrejtje, në Kroaci nuk kujtohet fare.

Por, Holbrooke kujtohet me admirim në Kosovë, edhe pse roli i tij ishte margjinal në lufën dhe paqen e Kosovës. Në kryeqytetin e Kosovës ekziston rruga  “Richard Holbrooke”. Në qendër të qytetit të vogël të Vitisë, jo larg bazës amerikane Bondsteel, Richard Holbrook-ut i është ngritur një bust, edhe pse jam i bindur se ideatori i vendosjes së bustit nuk ka ide për rolin e Holbrooke në Kosovë. Ndoshta nga injoranca dhe mania e ndërtimit të busteve gjithandej, ne e nderojmë Holbrooke më shumë për idealizmin e tij, se sa për angazhimin konkret. Kosovarët e kanë pranuar Holbrooke si “njeriu ynë”.