Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Njëri nga djemtë nuk përfshihet në trashëgimin e babait, aktakuzë ndaj zyrtarit të komunës së Mamushës

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, njëri prej tyre ofiqar në Komunën e Mamushës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari M. Sh., në pozitën e ofiqarit të Komunës së Mamushës në një dokument zyrtar nuk i ka shënuar të dhënat e duhura.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me 2 shkurt të vitit 2016, ka përpiluar “Aktvdekjen” për të ndjerin R. M., duke paraqitur si trashëgimtar bashkëshorten e të ndjerit H. M., bijtë e tij I. M., S. M. dhe Gj. M., pa e përfshirë si trashëgimtar edhe birin tjetër të tij, të dëmtuarin Z. Sh.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se ky dokument në ndërkohë është përdorur si provë për trashëgimi tek noteri.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, A. M., dyshohet se ka vënë në lajthim organin kompetent që në një dokument publik, të vërtetojë një çështje të pavërtetë, pasi që pas datës 2 shkurt të vitit 2016 ka shkruar në Zyrën e Noteres në Mamushë, e ka dorëzuar “Aktvdekjen” me të dhënat e përshkruara si më lartë, dhe në bazë të këtij dokumenti noterja ka nxjerrë “Aktvendim Trashëgimor” pa qenë i përfshirë në trashëgimi i dëmtuari Z. Sh.

Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit M. Sh., dhe A. M., kanë kryer veprat penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, dhe “legalizim i përmbajtjes së rreme”.