Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Njëri i akuzuar i sëmurë, nuk mbahet gjykimi për krim të organizuar

Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit të të akuzuarve për krim te organizuar.

Pas fillimit të seancës dhe konstatimit lidhur me prezencën e të akuzuarve në Gjykatë, mbrojtësi i të akuzuarit Selami Morina, avokati Agim Lushta njoftoi se i mbrojturi i tij nuk mund të prezantojë në seancë.

Avokati Lushta ia ka paraqitur trupit gjykues një raport nga Spitali Rajonal në Prizren të datës 31 maj 2018, sipas të cilit i pandehuri Selami Morina nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Beqir Halili njoftoi avokatët dhe të pandehurit e tjerë të cilët ishin prezentë se nuk ishin plotësuar kushtet e nevojshme sipas ligjit për mbajtjen e seancës.

Seanca e sotme është shtyrë për 16 korrik 2018, kur do të vazhdojë elaborimi i ekspertizës financiare nga ana e ekspertëve financiarë, Xhevdet Krasniqi dhe Shaban Baftiri, të cilët ishin prezentë në gjykatë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Besim Zeqirin dhe Ismet Zeqirin së bashku me të pandehurit Milan Radisavleviq dhe Aleksander Rakiçeviq se në fillim të vitit 2012 kanë themeluar grupin kriminal me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare.

Sipas Prokurorisë, këta të akuzuar nga Serbia dhe Mitrovica e Veriut kanë sjellë në mënyrë ilegale në vazhdimësi mallra të kontrabanduara, si derivate të naftës, vajra motorike etj.

Në aktakuzë thuhet se në periudhën kohore qershor-dhjetor 2014, të njëjtit me të gjithë pjesëtarët e grupit nga Serbia në Kosovë kanë bërë kontrabandimin e 52 ngarkesave me derivate të naftës, 2 ngarkesave me vaj hidrol dhe 3 ngarkesave me nitro-tretës.

Sipas aktakuzës, këto mallra më pas janë shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim që të akuzuarit vetes apo personit të tjetër t’i sjellin dobi pasurore, duke bërë shmangien nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore në shumën prej 30.000 eurove.

Për këto veprime të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, lidhur me veprat penale kontrabandim i mallrave, tregtia e ndaluar dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Agron Zymeri, Gentrit Zymeri, Canabeg Hyseni, Ali Muzliukaj, Liridon Hyseni, Ridvan Avdiu, Dukagjin Latifi, Besnik Istrefi dhe Azem Islami.

Po ashtu edhe të pandehurit Xhevat Spahija, Shkëlqim Jusaj, Selami Morina, Sabri Hasani, Burim Hasani, Nexhat Mazreku, Demë Lokaj, Alban Nikçi, Fadil Çollaku dhe Albion Lokaj akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me veprat penale: Kontrabandim i mallrave dhe shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore.

Gjithashtu, gjatë kontrollimit të shtëpive të të pandehurve Agron dhe Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Canabeg Hyseni, Azem Islami, Fadil Çollaku, Demë Lokaj dhe Alban Nikçi Policia ka gjetur dhe ka konfiskuar armë.

Me këtë këta të akuzuar kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

https://kallxo.com/deshmitari-thote-se-ekspertizen-e-pasakte-e-nenshkroi-me-kerkese-te-prokurorit/

KALLXO vazhdimisht ka raportuar lidhur me rastet e shënjestruara për liberalizmin e vizave, duke përfshirë edhe këtë rast.