Takimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Njerëz të Politikës Propozohen për një Bord të Pavarur

Ndonëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe Qeveria kanë nënshkruar me Ambasadën britanike një memorandum që e ndalon punësimin në baza partiake në agjenci shtetërore, kjo nuk e ka penguar ekzekutivin që të propozojë aktivistë politikë për një agjenci të pavarur.

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik ka votuar pro kandidatëve të propozuar nga Qeveria për kryesues dhe anëtarë të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, dy prej të cilëve janë aktivistë të LDK-së.

Gjashtë anëtarë të Komisionit ishin për dhe një abstenoi gjatë votimit për përbërjen e bordit.

http://kallxo.com/veseli-djem-e-vajza-konkurroni/

Gjatë takimit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik asnjëri anëtar nuk i diskutoi preferencat dhe përkatësinë politike të të propozuarit për kryesues të bordit dhe njërit prej kandidatëve për anëtar.

Për kandidatin për kryesues të bordit, Arsim Berisha, është thënë se është zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, ndërsa në letrën e motivimit të dërguar në Kuvend ka thënë se në momentin e zgjedhjes eventuale në bord, do ta ndërpresë ushtrimin e të gjitha aktivitetet politike.

Ndërsa, kandidati i propozuar për anëtar të bordit, Ilmi Ahmeti, ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së.

Kandidatët e tjerë të propozuar për anëtarë të bordit janë Shkumbin Hyseni dhe Gëzim Qerimi.

Gjatë takimit të Komisionit parlamentar, anëtari Besim Beqa pati vërejtje për kryesuesin e bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave në mungesë të informatave dhe rreth nostrifikimit të diplomës së tij.

“Për kryesuesin e bordit kemi pritë që të marrim informata më shumë. Unë nuk dua të bëhem pengesë, por diplomat duhen të jenë të nostrifikuara, kështu që para se të shkojë propozimi në Kuvend, Qeveria duhet të na sqarojë a duhet me u nostrifiku diploma apo jo”,  tha Beqa.

Kryesuesi i Komisionit, Muhamet Musatafa, theksoi se pasi diploma është nga Shqipëria nuk ka nevojë për nostrifikim.

“Nuk jam i sigurt që duhet të shkohet diploma në nostrifikim për arsye se diploma është në Shqipëri, por nëse duhet ligjet janë përkatëse dhe ne e shënojmë këtë çështje në procesverbal”, tha Mustafa.