Një Zyrtar Prokurimi në Gjykimin e Limajt

 

Para se Reçica të nisë dëshminë, Fatmir Limaj dhe mbrojtësi i tij Tahir Rrecaj thanë se një CD që është paraqitur në gjykatë nga prokuroria nuk po hapet.

Në këtë CD janë të vendosura dosjet e tenderëve për të cilët akuzohen Limaj dhe të tjerët, për të cilat dosje u ankua edhe avokati i Nexhat Krasniqit Bajram Tmava.

“Ne kërkojmë nga ju trup gjykues që të na sillen dosjet origjinale te tenderëve kontestues. Nëse i keni, dhe nëse na i sjellin, atëherë asgjë nuk do jetë kontestuese,” tha Tmava.

Duke iu përgjigjur ankesave të avokatëve dhe vetë Limajt, kryetarja e trupit gjykues deklaroi se prokuroria e ka kryer punën e vet dhe të gjitha provat ia ka shpalosur si trupit gjykues, e po ashtu edhe mbrojtjes.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

Dëshmitari i sotëm Betim Reçica në vitin 2008, në kohën për të cilën akuzohen Limaj dhe të tjerët ishte zyrtar prokurimi në ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomit.

Dëshmitari shpjegoi procedurat e tenderimit në këtë ministri, duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Bajram Tmava, mbrojtësit të Nexhat Krasniqit.

“Vendimet për hapjen dhe vlerësimin e tenderëve i ka marrë sekretari i përgjithshëm, ndërsa sa i  përket hapjes se ofertave ato i ka bërë Komisioni për Hapjen e Ofertave, e vlerësimin e tyre e ka bërë Komisioni për Vlerësimin e Ofertave,” deklaroi Reçica.

Dëshmitari tha se edhe vetë në disa raste ishte në cilësinë e kryetarit, ose anëtarit të komisioneve të tilla.

Tahir Rrecaj, avokati i Limajt tha pas seancës se CD-në e dosjeve të tenderëve nuk mundi ta hapë as prokurori.

“Prokuroria na i ka dorëzuar disa prova në një CD, por ne kemi vërejtur se aty mungojnë dy dosje të dy tenderëve që janë objekt i akuzës, ne nuk kemi mundur ta hapim CD-në edhe prokurori tentoj të hap CD-në por e pa që ajo nuk hapej  prokurori pretendon se atij ju kanë dorëzuar me rastin e MTPT2 por nuk janë ato dosje të cilat ne i kemi kërkuar,” tha Rrecaj.

Rrecaj shprehu bindjen se Limaj dhe të tjerët do të lirohen.

“Unë jam jashtëzakonisht optimist. Ky proces gjyqësor në raport me zotërinë Limaj do të përfundojë me një aktgjykim lirues. Sot vazhduam me marrjen në pyetje të dëshmitarit të parë të prokurorisë dhe ai dëshmitar sqaroi në mënyrë shumë të qartë, të sinqertë procedurat e prokurimit nga shpallja, vlerësimi, hapja e tenderëve dhe deri te nënshkrimi i kontratës dhe në asnjë kontest ky dëshmitar nuk e përmendi zotëri Limajn,” tha Rrecaj.

Limaj limaj1 limaj2

Më 30 tetor Limaj aktakuzën e konsoliduar në të cilën janë bashkuar lëndët MTPT1 dhe 2 e quajti të ngritur me urdhër politik.

Fatmir Limaj: Kjo Aktakuzë është Ngritur me Urdhër Politik