Një vit burgim për Liridon Sadikun, theri me thikë shokun e tij

Liridon Sadiku është dënuar me një vit burgim nga Gjykata për therjen me thikë të shokut të tij Fidan Mziut.

Në seancën e kaluar i akuzuari Sadiku kishte pranuar fajësinë.

“E pranoj gabimin që e kam bërë edhe pendohem thellë çka kam bërë dhe i kërkoj falje Fidanit dhe Patrisit për rastin që ka ndodhur. Të njëjti i kam pasur shokë, i kam shokë dhe do t’i kem shokë”, tha i akuzuari Liridon Sadiku.

Sipas aktakuzës, ngjarja për të cilën akuzohej Liridon Sadiku kishte ndodhur  më 16 shkurt 2017 në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”.

Në aktakuzë thuhej se përderisa i pandehuri Liridon Sadiku ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, në lagjen “Sofalia” së bashku më dëshmitaren Albulena Hajrizi, janë takuar më të dëmtuarin Fidan Mziu dhe dëshmitarin Patris Gashi, dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes tyre, gjatë kalimit e shikojnë njëri-tjetrin në mënyrë kërcënuese dhe i pandehuri Liridon Sadiku i vërsulet të dëmtuarit Fidan Mziu dhe me thikë e godet në kokë në anën e majtë.

Tutje në aktakuzë thuhej se i dëmtuari Fidan Mziu nga trupi nën rroba ka nxjerrë shkopin prej druri dhe e ka goditur të pandehurin në dorë dhe pasi që e ka goditur i është drejtuar dëshmitarit Patris Gashi me fjalët: “Hajde ta qes edhe ty gjakun”. Ndërsa dëshmitari Patris Gashi nga frika thuhet se e ka nxjerr thikën, të cilën e ka mbajtur në dorë.

Sipas Prokurorisë porsa i dëmtuari Fidan Mziu ia ka parë thikën në dorë dëshmitarit Patris Gashi, ia ka kapur nga dora dhe e ka sulmuar të pandehurin Liridon Sadikun dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjatë kësaj përleshje në dosjen e Prokurorisë theksohet se i akuzuari Liridon Sadiku të dëmtuarit Fidan Mziu i ka shkaktuar plagë shqyese dhe plagë shpuese në regjionin e majtë të kokës, gjakderdhje nën cipën e fortë trunore, lëndime këto që si të tilla sipas Prokurorisë bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Liridon Sadiku ishte i akuzuar edhe për armëmbajtje pa leje, mirëpo në seancën e kaluar Prokuroria kishte hequr dorë nga kjo pikë e aktakuzës.

Liridon Sadiku në seancën e sotme gjithashtu është obliguar t`i paguajë edhe shpenzimet gjyqësore, si dhe në emër të paushallit  gjyqësor shumën prej 50 euro.

Shpalljen e aktgjykimit e bëri gjykatësja Nushe Kukaj -Mekaj.

Me pranimin e fajësisë ishte pajtuar edhe i dëmtuari Fidan Mziu, i cili hoqi dorë edhe nga kërkesa për realizimin pasuror-juridik. Madje, i dëmtuari kishte deklaruar se nuk ka dëshirë që Gjykata ta dënojë shokun e tij, Liridon Sadikun, pasi që sipas tij ata tashmë ishin pajtuar.