Presidentja Atifete Jahjaga në fjalimin vjetor në Kuvend

Një Presidente Ndryshe, në Fund të Mandatit

Në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, Presidentja Jahjaga dënoi ashpër atë që po ndodh në katër muajt e fundit në Kuvend.

Ashtu siç nuk është njohur deri dje, Presidentja kishte zgjedhur fjalët më të ashpra për të dy blloqet politike, grindjet e të cilëve e kanë zhytur vendin në krizë të thellë politike.

Ajo tha se qytetarët nuk e meritojnë këtë situatë.

“Qytetarët u shndërruan në spektatorë të një dhune dhe arrogancë të paparë. A është e mundur që njerëzit që qytetarët u besuan, ta bëjnë shtetin e goditën mu këtë shtet,” tha Jahjaga.

Imer Mushkolaj, analist i pavarur, tha se ai të enjten pa një Presidente tjetër nga ajo që është mësuar të shohë, një Presidente shumë kritikuese, dhe me një fjalim shumë serioz.

“U duk një Presidente tjetër, si në paraqitje, si në qasje karshi njerëzve që u drejtohej në krahasim me herëve të tjera. Fjalimet e kaluara kanë qenë më shumë një retorikë e thatë, ndërsa kësaj here ishte shumë më përmbajtjesore qoftë sa ju përket kritikave të adresuara kundrejt atyre që e meritojnë të u drejtohen këto kritika”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.

Ai tha se në një situatë të tillë, ku edhe është vendi, Jahjaga po shihet si i vetmi person me autoritet në vend.

“Presidentja Jahjaga ka mbet autoriteti i vetëm moral në politikën e Kosovës, deshi apo nuk deshi me e pranu dikush”, tha Mushkolaj.

Ndërsa për analisten Besa Luzha, kreu i shtetit këtë herë nuk kritikoi vetëm opozitën, ashtu siç ajo thotë se ka ndodhur në rastet e mëhershme.

“Ajo është munduar që fjalimin ta ketë të balancuar, me e kritiku opozitën për veprimet që i ka pasë në Parlament, po njëkohësisht edhe Qeverinë duke ia tërheqë vërejtjen që nuk duhet gjithmonë të mbështetet te numrat”, tha Luzha për KALLXO.com.

Por për të zhgënjyese ishte se Jahjaga, e vërtetoi në njëfarë mënyre që nuk ka qenë e aftë të ndërmjetësojë një dialog mes opozitës dhe pozitës.

“Ajo theksoi që ka provu disa herë të propozojë dialogun, të gjejë zgjidhje, por që nuk e ka pasur autoritetin e duhur dhe atë personalitetin që imponon palët të ulën seriozisht dhe të dialogojnë”, tha Luzha.

Të enjten, në atë që vlerësohet si fjalimi i fundit i saj në postin e Presidentes, Atifete Jahjaga në Kuvend foli edhe për kompromisin pozitë-opozitë. Ajo përmendi edhe lotsjellësin dhe numrat.

Mandati pesëvjeçar i Jahjagës në krye të shtetit skadon në prill të vitit të ardhshëm. Marrëveshja për koalicion ndërmjet PDK-së dhe LDK-së e arritur vitin e kaluar, e parandalon atë që ta planifikojë një mandat të dytë në këtë post.

“Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës as demokracia nuk mund të reduktohet në numra. Asnjëra palë nuk do të korrë fitore. Dhunë nuk do ta shndërrojmë në mjet politik, por askush nuk e gëzon të drejtën e arbitrit në Kosovë”, tha Jahjaga para deputetëve.

E dëshpëruar si asnjëherë më parë, ajo tha se Kosova “duhet të bëhet vend ku mund të jetohet”.

Por fjalët e saj nuk i dëgjuan deputetët e opozitës të cilët e lëshuan sallën me të nisur fjalimi i Presidentes.

Imer Mushkolaj tha se opozita nuk bëri mirë që e braktisi sallën. Sipas tij, Presidentja nuk është fajtorja për situiatën politike dhe se “etika themelore e kërkon që ata të qëndrojnë dhe ta dëgjojnë atë se çka po thotë” Presidentja e vendit.

“Ata që e braktisën sallën nuk është që janë në ndonjë nivel më të lart se sa Presidentja, në çfarëdo kuptimi të flasim”, tha Mushkolaj.

Ndërsa për Besa Luzhën, Presidentja fjalimin e ka thënë më shumë si detyrë, pasi që ajo nuk pret që ky fjalim të krijojë ndonjë efekt në zgjidhjen e krizës.

“Opozita e ka konsideruar gjithmonë që Presidentja ka anuar më shumë ndaj pozitës se sa ndaj opozitës, dhe për këtë arsye ka theksu zakonisht që nuk do të marrë pjesë”.

Ndërsa Mushkolaj tha se salla e kuvendit të enjten u shfrytëzua nga Presidentja për t’u thënë disa gjëra njëkohësisht edhe pozitës edhe opozitës.

“Presidentja megjithatë e bëri të ditur se koalicioni qeveritar duhet të fillojë të marrë iniciativë për t’u zgjidhur problemi si përgjegjësi që e ka si shumicë si shumicë që është karshi pakicës parlamentare”, tha Mushkolaj.