Një Muaj Paraburgim të Dyshuarës nga Shkodra

Gjykata e Prizrenit ka miratuar kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurës me iniciale E.Z. nga fshati Barballush i Shkodrës.

“Kjo masë do të llogaritet prej datës së arrestimit 30.10.2017, nga ora 11:00 dhe do të zgjasë deri më datën 30.11.2017”, ka njoftuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj.

Sipas Zyrës për Informim të Gjykatës së Prizrenit, e pandehura me inicialet e lartpërmendura dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave  psikotrope dhe analoge, për të cilën parashihet dënimi prej 2 deri në 12 vjet burg.

“Më datën 30.10.2017 rreth orës 09:30, në vendkalimin kufitar të Vërmicës, gjatë kontrollit të hollësishëm të autobusit “Ardit Tours” dhe udhëtarëve në atë autobus, në çantën e të pandehurës, udhëtare e këtij autobusi, Policia ka gjetur një qese najloni të mbushur me bari ngjyrë të gjelbër – substancë e dyshuar për narkotik e llojit marihuanë, në peshë prej 380 gramë, e të cilat e pandehura pa autorizim i ka transportuar me qëllim të ofrimit për shitje”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.