Ndërtesa e AKI-së. Foto: Kallxo.com

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për vrasje në AKI

Gjykata Themelore ka vendosur që t’i caktojë masën e paraburgimit për një muaj ndaj V.I., të dyshuarit për vrasjen e një punëtori të AKI-së.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari i rastit, Isuf Makolli.

“Po mund t’ju them se është marrë vendimi, i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj”, tha Makolli.

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur seanca për të dyshuarin V.I. në lidhje me vrasjen e punëtorit të AKI-së, brenda ndërtesës së këtij institucioni.

Seanca është mbajtur dje pas kërkesës së Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së sigurisë për të dyshuarin.

KALLXO.com dy ditë më parë ka raportuar në lidhje me rastin e vrasjes brenda objektit të AKI-së.

KALLXO.com kishte mësuar se një punëtor sigurimi ka shtënë ndaj një punëtori të shërbimit në këtë ndërtesë duke e lënë të vrarë.

Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI) ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme se një person është vrarë në ndërtesën e këtij institucioni.

Sipas AKI-së, vrasja nuk ka të bëjë me çështje që ndërlidhen me punën e këtij institucioni.