Gjykata Themelore e Pejes - Foto: Atdhe Mulla.

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për tentim vrasje në Isniq

Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Sh.M., i dyshuar për tentim vrasjen që ka ndodhur më 30 tetor në Isniq të Deçanit.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Pejës, Prokuroria ka shpjeguar se më 30.11.2018, në fshatin Isniq, komuna Deçan, i dyshuari me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin, në atë mënyrë që për shkak të disa problemeve të mëparshme mes të  pandehurit dhe të dëmtuarit, ditën kritike me t’u takuar mes vete ka filluar një kacafytje fizike.

Me këtë rast, i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me një thikë në kokë, ku pas kësaj viktima është dërguar për kurim në spital.

Me këto veprime i pandehuri Sh.M. dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji duke filluar nga data 31.10.2018  deri me datë 30.11.2018.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.