Një muaj paraburgim për të dyshuarin për sulm ndaj prokurorit

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji personit i cili dyshohet se ditën e djeshme e kishte sulmuar brenda Gjykatës, prokurorin Blerim Igrishta.

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 410 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Në lidhje me këtë incident që kishte ndodhur në hapësirat e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për KALLXO.com ishte prononcuar edhe vetë prokurori Igrishta.

https://kallxo.com/deshmitari-sulmon-prokurorin-brenda-gjykates/

Prokurori Igrishta kishte rrëfyer rastin për KALLXO.com, sipas tij, pala e kishte kapur për krahu dhe i kishte thënë prokurorit “Shihemi jashtë”.

“Në momentin kur gjyqtarja tregoj se po shtyhet seanca, dëshmitari filloj të bërtas, dhe unë ia tërhoqa vërejtën se këtu është gjykatë dhe se mund të ndiqet penalisht. Ai filloj duke ma bëre me dije se do të shihemi jashtë. Pasi kemi dalë jashtë aj erdhi dhe me kapi për krahu duke me thënë se ta bëj kështu dhe ashtu, dhe pastaj as unë nuk rezistova dhe e kapa çka shtyri edhe në intervenimin e pjesëtareve të sigurisë së gjykatës”, ka thënë për KALLXO.com prokurori Igrishta.

Në këtë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në ditën e djeshme pas përfundimit të një seance gjyqësore, i pandehuri E.G i ishte drejtuar prokurorit me zë të lartë, iu kishte afruar të njëjtit dhe e kishte sulmuar  duke e kapur nga krahu, pastaj kishte tentuar edhe ta shtyjë në drejtim të hyrjes së korridorit.

Në këtë aktvendim thuhet se prokurori në këtë rast i dëmtuari  kishte kërkuar nga i dyshuari që t’ia lëshonte dorën, por ky i fundit me një agresivitet të vazhdueshëm në prezencën e zyrtarëve të sigurimit kishte vazhduar ta ofendonte dhe ta kërcënonte prokurorin.

“Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.G është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.