Një Muaj Paraburgim për Kryeinspektorin e Punës

Një muaj paraburgim është masa që ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë kundër të pandehurit M.B., i dyshuar për veprën penale marrje e ryshfetit.

Sipas një komunikate të Gjykatës, arsye për caktimin e paraburgimit është se ekziston dyshimi i bazuar se gjatë periudhës disavjeçare si person zyrtar në pozitën e kryeinspektorit të regjionit të  Prishtinës, pranë Inspektoratit të Punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, vazhdimisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka kërkuar përfitim material, duke vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas Gjykatës, më 22 shtator 2016, nga dëshmitari – i dëmtuari L.Z., kontabilist i një kompanie, M.B. ka kërkuar shumën prej 10.000 euro që mos ta ndëshkonte për disa parregullsi kompaninë ku i dëmtuari punon e për të cilat sipas të pandehurit kompania është dashur të ndëshkohej me gjobë prej rreth 350.000 euro.

Por, një ditë më vonë, më 23 shtator 2016, rreth orës 16.00, i dyshuari është zënë në flagrancë nga ana e Policisë me rastin e marrjes së shumës së kërkuar të parave.

Masa e paraburgimit ka filluar më 23.09.2016 dhe do të zgjatë deri më 23.10.2016.