Deponia e Mirashit | Foto: KALLXO.com

Një Kosovar ‘Prodhon’ Gjysmë Kilogrami Bërllok në Ditë

Anketa e Mbeturinave Komunale 2015” e Agjencisë së Statistikave tregon se sa mbeturina u grumbulluan në Kosovë gjatë vitit të kaluar.

“Në Kosovë për vitin 2015 janë grumbulluar gjithsej 319.034 tonë mbeturina komunale. Të dhënat e vitit 2015 tregojnë se mesatarja e mbeturinave komunale të grumbulluara ka qenë 177 kg për banorë në vit,” thuhet në publikimin e ASK-së.

Prishtina dhe regjioni i saj grumbulluan më shumë bërllok sesa regjionet tjera të vendit.

“Dallime të theksuara vërehen ndërmjet Prishtinës me regjion dhe regjioneve tjera, si p.sh.në regjionet tjera në Kosovë sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara ka qenë 163 kg për banor në vit, ndërsa në Prishtinë dhe regjion ka qenë 214 kg për banorë në vit,” sqaron anketa.

Më tepër se gjysmë kilogrami mbeturina për kokë banori në ditë u grumbulluan në regjionin e Prishtinës, ndërsa në regjionet tjera kjo sasi ishte më e vogël.

“Në Prishtinë dhe regjionin e saj grumbullimi i mbeturinave komunale ka qenë 0.59 kg në ditë për banor. Për pjesën tjetër të Kosovës sasia e mbeturinave komunale të gjeneruara për banor në ditë ka qenë 0.45 kg,” vazhdojnë më tej të dhënat e anketës.

Sipas ASK-së, në Kosovë, mesatarja e mbeturinave të grumbulluara për banor në ditë ka qenë 0.48 kg.

Më së shumti mbeturina u grumbulluan në deponinë e Mirashit.

“Të dhënat e deponive tregojnë se sasia më e madhe e mbeturinave komunale të deponuara ka qenë në deponinë e Mirashit në Prishtinë me 106.119 tonë, ndërsa saisa më e vogël e mbeturinave komunale të deponuara ka qenë në deponin në Velekincë – Gjilan 33.914 tonë,” sqaron Agjencia e Statistikave të Kosovës.

E dyta për grumbullim bërlloku radhitet deponia në Landovicë të Prizrenit me 72 mijë e 921 tonë, ndërsa pas saj vijnë deponitë në Germovë të Mitrovicës me me 39 mijë e 547 tonë dhe në Sferkë të Pejës me 37 mijë e 444 tonë.

Në vitin 2014 kompanisë “Pastrimi” që grumbullon bërllokun e Prishtinës i ishin mbyllur dyert e deponisë së Mirashit me arsyetimin se kompania i kishte borxh deponisë.

Për këtë problem u debatua në Emisionin “Jeta në Kosovë” në muajin maj të para dy vjetëve.

http://kallxo.com/ku-po-shkon-ky-berllok/

KALLXO.com vazhdimisht shkroi për deponitë ilegale të bërllokut.