Ilustrim

Një jetë për një ndërtesë

Dhjetë persona kanë vdekur gjatë dhjetë muajve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë. E ndërsa 80 të tjerë janë lënduar gjatë këtyre dhjetë muajve.

“Unë përgatitesha për me e fillu punën dhe duke mos e vërejtë se prej kushteve klimatike,  është krijuar lagështi që e ka bërë terrenin e rrëshqitshëm, si pasojë e së cilës ka ardhur deri te aksidenti im”.

Kështu e fillon rrëfimin e tij, S.M, i cili në nëntorin e vitit 2016 ishte lënduar në vendin e punës, në Prishtinë.

Ai kishte rënë nga 2.4 metra lartësi, dhe kishte lënduar këmbën e majtë. Aksidenti ka ardhur si pasojë e mospastrimit të ambientit të punës, gjë që ka çuar në krijimin e lagështisë e pastaj në rrëshqitjen e tij.

S.M, ka pasur kontratë me kompaninë të cilën ka punuar, dhe shprehet se kompania ia ka mbuluar të gjitha shpenzimet pas lëndimit.

“Po, masi jom lëndu firma mi ka mbulu krejt shpenzimet e mjekimit”, thotë ai.

Ndërsa shprehet se ai është paguar nga kompania, edhe pasi ka shkuar në pushim mjekësor.

Vetëm gjatë vitit 2018, 80 persona janë lënduar në vendin e punës, ndërsa dhjetë të tjerë kanë vdekur, shtatë prej tyre kanë rënë nga lartësia. Pjesa tjetër kanë vdekur duke punuar në shtëpitë private, dy prej tyre kanë qenë punëdhënës.

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi, shprehet se fajtor  për  ketë gjendje të krijuar në sektorin e ndërtimtarisë është mungesa e vetëdijesimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

“Punëdhënësi është fajtori i parë, pasi ligjërisht ai është i obliguar për me i kriju kushtet për punëtorin,  është i obligum me i lexu të  gjitha ligjet, duhet me i ndërmarrë të  gjitha veprimet ligjore të cilat i sigurojnë kushtet adekuate të punës, edhe nga siguria dhe shëndeti në punë”, thotë Ibrahimi

“Po pastaj edhe punëtori, nëse e sheh që është i rrezikum ai duhet me kërku, edhe mos me punu në ato kushte. Duhet me e pasë një kurajo, me u anku çfarëdo mënyre qoftë, anonim, me emër e mbiemër, dhe mos me pranu atëherë kur rrezikohet jeta e tij”, shton ai.

Ibrahimi po ashtu shprehet se numri i inspektorëve, 42 gjithsej, nuk është fare i mjaftueshëm për inspektim. Ndërsa sipas tij, çështja e  buxhetit  është ajo që e pamundëson rritjen e numrit te inspektorëve.

Fajin për vdekjet e lëndimet në vendin e punë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi e hedh tek mosvetëdijesimi i punëtoreve dhe tek mosinteresimi i Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ndoshta më së  paku më takon me thanë këtë mirëpo edhe vet punëtorët e kanë një pjesë të fajit sepse shpesh here nuk e mendojnë se çka janë duke punuar, vine deri te këto  raste. Këta punëtorë kryesisht vijnë prej një kategorie të punëtorëve qe asistenca e tyre sociale është shumë e dobët, andaj shpeshherë duhet me punu edhe punë të rrezikshme për me e mbajt familjen e tyre po faji ma i vogli është të punëtorët”, thotë Azemi.

Ilustrim

“Kurse pjesa tjetër e fajit është te pronarët e kompanive dhe te organet gjegjëse të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale,   megjithatë inspektorët gjegjësisht Ministria e Punës sikur nuk është e interesume që të vij deri te zvogëlimi i numrit të punëtorëve të rastit të vdekjeve të tyre”, shton ai.

E ndërsa sa i përket aksionit për inspektime që ka marrë Inspektorati i Punës, Jusuf Azemi shprehet se Inspektorati është dashur në mënyrë permanente ta mbikëqyrë situatën e punëtorëve të sektorit privat.

Për  vdekjen e punëtorëve në vendin e punës, u organizua edhe një protestë në tetor 2018, me moton “Ndërtesat janë tuajat, jeta është e jona”.

93 helmeta u vendosën në rrethojat e objektit të qeverisë, për rastin e çdo të vdekuri në vendin e punës, në pesë vitet e fundit. Me secilin rast që do të zbardhet, do të largohet një helmetë.

Gjatë vitit 2018, Inspektorati i Punës, ka kryer 900 inspektime, ndërsa gjatë muajit të fundit ka shqiptuar dymbëdhjetë gjoba dhe ka pezulluar punimet në njëmbëdhjetë vend punishte. Inspektorati ka pranuar  974 ankesa nga punëtorët.

Siguria e punëtorëve në vendin e punës, është e hartuar  me anë të  kornizave ligjore, me  Ligjin për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të të Punësuarve dhe Ambientit të Punës. Qëllimi i këtij ligji është që të parandalohen lëndimet në punë, sëmundjet profesionale në vendin e punës dhe të mbrohet ambienti i punës.

 

Autorja Veronë Selimi është bursiste e grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).