Foto: Atdhe Mulla

Një hapësirë për dashuri, humanizëm dhe biseda tabu

Një oazë për inovacion dhe frymëzim, hapësirë multifunksionale e projektit ‘Shtatëmbëdhjetë’ është një aneks i ri për Prishtinën, një pikë grumbullimi ku njerëzit mund të festojnë lirisht artin, kulturën, aktivizmin qytetar dhe çdo gjë aktivitet tjetër.

 

Njerëzit thonë se një ambient i pastër, i renditur mirë dhe i qetë e bën mendjen të pastër dhe të qetë. Kjo me të vërtetë ndjehet sapo hyn brenda hapësirës ‘Shtatëmbëdhjetë’, Fondacioni Shtatëmbëdhjetë, një hapësirë e vogël projektesh e vendosur pas shkollës së mesme Sami Frashëri në Prishtinë, ku koklavitja e mendimeve në kokë fillon të zgjidhet sapo të keni hedhur shikimin përreth.

E hapur që nga nëntori i vitit të kaluar, kjo hapësirë e cila ka si qëllim bashkëpunimin, është e qetë, e rrethuar me mure të zbehta dhe dritare me kornizë blu të mbuluara përgjatë gjithë fasadës së përparme. Grupe njerëzish ulen rreth tavolinave të hekurta të stolisura me qirinj dhe me lule livandoje, duke punuar së bashku dhe duke pirë kafe nga banaku i vogël dhe i improvizuar i vendosur në mes të dhomës.

Ndjehet një atmosferë e lehtë, e qetë dhe paksa e tërhequr. Treshja që drejton këtë hapësirë dhe Fondacionin Shtatëmbëdhjetë, organizata që e solli këtë hapësirë në jetë, Ajete Kerqeli, Sihana Klisurica dhe Nita Zeqiri janë të ulur së bashku në qoshin më të largët të kësaj hapësire.

Foto: Atdhe Mulla

Kerqeli shpjegoi se kjo është një hapësirë pune, shumëfunksionale dhe bashkëpunuese, e projektuar posaçërisht për të inkurajuar të gjithë njerëzit që të vijnë, të relaksohen dhe të marrin frymëzim për punë.

“Ne donim t’u sigurojmë njerëzve një vend ku të gjithë mund të ndihen rehat, ku mund të sfidojmë mënyrën tradicionale të të menduarit, por duke i mbajtur gjërat në një stil shumë joformal e cila do të mundësonte që bisedat të shkonin krejt rrjedhshëm “, tha Kerqeli.

Që të tri gratë, Kerqeli, Klisurica dhe Zeqiri dëshironin një hapësirë për veten e tyre dhe për të tjerët në mënyrë që ata të ndiheshin si në shtëpinë e tyre dhe gjithashtu të vepronin duke i ndarë dhe krijuar idetë të reja mes vete.

“Ne zgjodhëm emrin ‘Shtatëmbëdhjetë’ në kuptim të numrave, pasi që numri 17 do të thotë rritje dhe dashuri për njerëzimin”, tha Klisurica. “Kjo lidhet me atë që bëjmë dhe me synimin tonë, duke pasur parasysh se ‘Shtatëmbëdhjeta’ është e përkushtuar që të sigurojë një mjedis edukues për qytetarët e të gjitha gjinive dhe moshave në të gjitha fazat e jetës së tyre”.

‘Shtatëmbëdhjeta’ inkurajon pjesëmarrjen në jetën publike përmes artit, kulturës, arsimit dhe informimit, dhe duke shërbyer si një burim jetësor krijues për komunitetin, tha Klisurica, duke hequr barrierat mes këtyre disiplinave dhe, njëkohësisht, duke nxitur një mjedis të përbashkët për t’u vazhduar së bashku.

Një nga njerëzit që kanë përfituar nga përdorimi i kësaj hapësire është edhe psikologia Fortesa Kadriu,e cili ishte mikpritës i një prej serive, Bisedat Tabu, që bëhen aty.

Kadriu pranon se ‘Shtatëmbëdhjeta’ mund të stimulojë bisedën në një mënyrë unike, dhe të krijojë tema të tilla që duhet të adresohen  e të cilat tema  institucionet formale nuk mund të përmbushin.

“‘Shtatëmbëdhjeta’ i afrohet situatave që ia vlen të flitet në një mënyrë tjetër”, tha Kadriu.

“Gjërat e ngjashme që u ofrohen njerëzve gjetkë gjithmonë futen dhe përshtaten si probleme -” ky është një problem, si duhet të merremi me të? “Njerëzit lodhen nëse flasim vetëm për problemet. ‘Shtatëmbëdhjeta’ i sheh këto gjëra përmes thjerrëzave të poezisë, muzikës, joga, përmes çfarëdo që mund të të shkojë në mendje. ”

Çfarë po ndodh?

Zeqiri tha se ata hapën ‘Shtatëmbëdhjetën’ si përgjigje ndaj disa vendeve përreth Prishtinës, ku programet e tyre, shpesh herë, një përzierje mes artit dhe kulturës si dhe përqendrimit në aktivizmin qytetar, mund të arriheshin.

“Nëse jetoni në Prishtinë, do të vëreni menjëherë se ka mungesë të hapësirave për ngjarje alternative,” tha ajo.

Duke na e treguar një grup lojtarësh të ulur në një qosh të kësaj hapësire, ajo tha, “Ne po i ftojmë njerëzit që duan të provojnë gjëra të reja. Ne kemi ide, për shembull, se si do të mund të punonim me komunitetin e lojërave në të ardhmen të cilët e përdorin këtë hapësirë me qëllim që, duke i përdorur lojrat e tyre, t’i përfshijnë njerëzit në aktivizmin qytetar “.

Foto: Atdhe Mulla

Aktualisht, tha Zeqiri, ‘Shtatëmbëdhjetë’ është mikpritës i netëve poetike, shfaqjeve filmike, zhvillon lojëra dhe ngjarje muzikore gjatë gjithë muajit, duke u përshtatur me hapësirën e cila do të bënte të mundur sjelljen e kulturës dhe diskutimit mbi çështjet sociale.

Kerqeli tha se dramaturgia Fjolla Hoxha është mikpritëse e dramave dhe shfaqjeve teatrale një herë në muaj, duke zgjedhur çdo herë shfaqje të ndryshme, duke ofruar një prezantim dhe duke filluar diskutimin, një mënyrë e re kjo që e sjelle teatrin dhe shfaqjen tek njerëzit në mënyrë që ata të mund ti shohin dhe të flasin për to në detaje.

Arti dhe kultura gjithashtu janë pjesë e ballinës së hapësirës ‘Shtatëmbëdhjetë’ në programin mujor për film dokumentar dhe film të shkurtër, i cili do ti sjellë regjisorët për të diskutuar për natyrën, qëllimin dhe proceset që janë pjesë e filmit.

Në fillim të muajit Shkurt, regjisori Gazmend Bajri shfaqi filmin e tij ‘Ferdonija’, një dokumentar i cili ka të bëjë me nënat e Gjakovës në kërkim të më të dashurve të tyre si dhe në kërkim të asaj se çfarë ndodhi me ta, pothuajse 20 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ngjarjet muzikore që ne i organizojmë duhet të jenë më performuese, duke i ftuar njerëz të cilët provojnë diçka të re”, tha Zeqiri. “Ne mund ta përshtasim hapësirën që do të mund të përdorej për gjëra të ndryshme.”

Sipas Klisuricës, një prej qëllimeve të tyre është koncentrimi, veçanërisht, rreth të rinjve, edhe pse kjo hapësirë është e përshtatshme për njerëzit e çdo moshe.

“Ne bëjmë biseda që kanë si fokus, në veçanti, aktivizmin qytetar, duke ftuar të rinjtë që konsiderohen të jenë model i roleve pozitive nga pjesë të ndryshme të Kosovës e të cilët i motivojnë të tjerët që të angazhohen dhe të mësojnë se si duhet menduarnë mënyrë kritike”, tha Klisurica.

“Ne kemi një program të quajtur” Pikëpamje “, tha Klisurica,” një seri seminaresh për të rinjtë, duke u kërkuar prej tyre të mendojnë për gjërat që atyre u interesojnë, për komunitetin e tyre si dhe për të mësuar se si t’i trajtojnë ato përmes shkrimeve”.

Bisedat tabu

Kerqeli tha se të parën Bisedë Tabu, e patën një natë më herët, një program tjetër mujor që organizohet nga  Shtatëmbëdhjetë, e që trajton një mori çështjesh në një mjedis të hapur dhe gjithëpërfshirës.

Njerëzve u jepet mundësia të ulen dhe të takojnë njerëz të ndryshëm, ekspertë dhe njerëz me ndikim, dhe diskutojnë tema të vështira, të cilët, në rrethana tjera, ndoshta se nuk do të kishin rast ti bënin, tha ajo.

“Ideja kryesore ishte të krijohej një hapësirë për njerëzit që të flisnin për gjëra që nuk bëhen diku tjetër”, tha Kerqeli. “Ne jemi mikpritës të kësaj serie një herë në muaj, duke ngritur tema që aktualisht janë, por të cilat nuk do të duhej të konsideroheshin si tema tabu”.

Çdo herë, Temat Taboo adresojnë çështje të ndryshme sociale, çfarëdo që u vjen në mendje, tha Zeqiri, nëse kjo ka të bëjë me shëndetn, LGBTI, seksin, çështje që kanë të bejnë me gratë apo politikën.

Një nga Bisedat e para Taboo është organizuar nga Uta Ibrahimi, kosovarja e parë që ka prekë majën e malit Everest.

“Ajo u fokusua rreth cikleve menstruale, dhe fakti që pothuajse çdo herë kur ajo ishte në majat e majave nëpër gjithë botën, ajo kishte ciklin e saj menstrual e saj, diçka që ia vlen të flasësh përndryshe diçka e tillë nuk do të thuhej kurrë”, tha Zeqiri.

E fundit si pjesë e kësaj serie, ishte psikologia klinike Fortesa Kadriu si panelist, e cila shqyrtoi çështjet rreth shëndetit mendor.

“Bisedat Tabu ishin një diskutim mjaft i përgjithshëm,” shpjegoi Kadriu. “Ne u përpoqëm të ofronim një hapësirë për të rinjtë për të punuar dhe zhvilluar idetë e tyre në lidhje me shëndetin mendor”.

“Në kulturën tonë në Kosovë, ne nuk flasim për mënyrën se si ndihemi, dhe sigurisht jo për shëndetin mendor në përgjithësi,” vazhdoi ajo. “Andaj, diskutuam për definicionin rreth emocioneve, trajtimit të emocioneve, faktorëve të shqetësimit, ideve rreth elasticitetit si dhe për qëllimet afatgjata”.

Foto: Atdhe Mulla

Kadriu tha diskutimi ishte aq hapur sa ishte e mundur, duke iu përgjigjur çdo pyetjeje të parashtruar nga pjesëmarrësit në lidhje me shëndetin mendor.

“Ata shtruan pyetje për gjëra, të tilla si ‘në ç’mënyrë do të përcaktonit një marrëdhënie të shëndetshme?’ Apo, ‘a është më mirë të jesh më e shprehur për emocionet e tua, apo të jesh i fortë emocionalisht dhe të përballesh vetë me to?’, tha ajo. “Është një keqkuptim i zakonshëm kur thuhet se mungesa e të shprehurit emocional është diçka e shëndetshme. Në fakt, një person do të ndihet shumë më i fortë nëse ai është në gjendje ti shprehë këto emocione, pasi që ky fakt  tregon se ata dinë se si të përballen me to. ”

Kadriu shpjegoi se pse është me rëndësi pranimi i këtyre çështje si dhe ndihmesa ndaj njerëzve në mënyrë që ata të jenë në dijeni për këto çështje si dhe për mënyrën se si ndihen apo për emocionet që ata i përjetojnë.

“Duke u rritur, sepse ne nuk flasim për këtë, nuk mësojmë as shumë në aspektin e terminologjisë për të përshkruar emocionet. Gjatë fëmijërisë tonë nuk jemi mësuar ta përshkruajmë me fjalë atë se si ndihemi dhe kjo nënkupton se më vonë secili do të ndihet i frikësuar ose i hutuar në momentin kur i përjeton këto emocione”, tha Kadriu.

Kujdesi ndaj të rinjve

Sipas Kerqelit, pikërisht këto lloj diskutimesh ishin të nevojshme për të rinjtë me të cilët ata ishin në kontakt gjatë fazës së planifikimit për ‘Shtatëmbëdhjetë’.

“Ne vazhdimisht flasim për rëndësinë e shëndetit mendor dhe ne kemi pasur njerëz të ndryshëm që na shkruanin për të inicuar grupe mbështetëse dhe gjëra të tjera të tilla si ato që mund të jenë të stigmatizuara, për gjëra të cilat askush nuk di se si duhen pyetur”, tha ajo. “Një individ duhet të jetë me të vërtetë në fazën më të keqe brenda gjendjes së tij emocionale dhe të ndjehet madje i turpëruar kur kërkon ndonjë këshillë në lidhje me ndonjë çështje apo shqetësim”.

Përderisa Kadriu tha se këto presione janë prezente nga të rinjtë kudo, të rinjtë në Prishtinë shpesh kanë presion shtesë që nga mosha e re.

“Të rinjtë janë të vetëdijshëm për presionin e jashtëm që ka të bëjë me arritjen e synimeve dhe zhvillimin individual”, tha Kadriu. “Sidomos pas luftës, prindërit kanë projektuar idealet e tyre  asisoji që fëmijët e tyre te përjetojnë një zhvillim individual, sepse mund të ketë pasur gjëra që ata nuk ishin në gjendje të arrinin vetë. Ata shqetësohen se fëmijët e tyre do të përjetojnë të njëjtën gjë. ”

‘Shtatëmbëdhjetë’ synon t’i kundërvihet këtyre presioneve  dhe do të vazhdojë t’i fuqizojë njerëzit në të ardhmen që të mësojnë se si të bëjnë vetë zgjedhjet e tyre.

“Gjithmonë pretendojmë se ne e dimë se çfarë duan të rinjtë, cilat janë nevojat dhe prioritetet e tyre”, tha Kerqeli. “Këtu, ne përpiqemi t’i pajisim ata me aftësitë për të bërë atë që ata duan,” përfundoi ajo.