Ilustrim

Një gjermane që ishte pjesë e IS-it dënohet me pesë vjet burgim

Një gjermane 32 vjeçe u dënua me pesë vjet burgim për pjesëmarrje në grupin militant Shteti Islamik.

Gjykata në Shtutgart të Gjermanisë e publikoi vendimin të premten, pasi e pandehura u shpall fajtore për pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste.

Gruaja, e cila u identifikua si Sabine Ulrike S., sipas rregullave gjermane të privatësisë, ka jetuar në Siri nga fundi i vitit 2013 deri në gusht, 2017, tha gjykata.

Prokurorët thanë se shumë shpejt pasi ka arritur në Siri, ajo është martuar me një luftëtar të Shtetit Islamik, i cili më herët ka qenë i panjohur për të.

Ajo ka jetuar me të në shtëpi të uzurpuara nga Shteti Islamik dhe dyshohet se është trajnuar për qitje me armë.

Burri i saj është vrarë në luftime në vitin 2016.

Prokurorët thanë se Sabine S. ka shkruar blog, duke lavdëruar jetën nën sundimin e Shtetit Islamik, me qëllim të rekrutimit të të tjerëve.

Sabine S. tha gjatë gjykimit se ajo ka hequr dorë nga anëtarësimi në IS.

Ajo u kap nga forcat kurde në vitin 2017 dhe u kthye në Gjermani në prill të vitit 2018.