Gjykimi i Ilir Tolajt dhe të tjerëve | Foto: KALLXO.com

Një Ekspert i PTK-së në Gjykimin e Ilir Tolajt

Në gjykimin e Ilir Tolajt dhe pesë zyrtarëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, u vendos që si dëshmitar i radhës të dëgjohet një zyrtar i PTK-së.

Propozimi për dëgjimin e zyrtarit të PTK-VALA erdhi nga avokatët Naser Sopjani, Kujtim Kërveshi e Skender Musa.

Në lidhje me këtë propozim, avokati Naser Sopjani  tha se ky dëshmitar do të jetë personi më kompetent i cili mund të dëshmojë në lidhje me vendndodhjen e personave në momentin e pranimit të thirrjeve.

“Kemi një propozim që në cilësinë e dëshmitarit si ekspert të dëgjohet zyrtari i postës (PTK-VALA) i cili është person kompetent e njeh punën e funksionimit të antenave gjatë komunikimit. Konkretisht na nevojitet që të marrim informatat e duhura për vendlokacionin e telefonave gjatë komunikimit në raport me antenat e operatorit Vala në momentin e pranimit të thirrjeve”, tha Sopjani.

Sipas tij me dëshminë e këtij eksperti do të mund të vërtetohet se ku kanë qenë të akuzuarit në momentin e pranimit të thirrjeve.

“Me këtë do të vërtetohet që të mbrojturat tona në momentin e thirrjeve telefonike a kanë qenë pikërisht në vendin ku është kyçur operatori me antenën, apo në ndonjë vend tjetër, kjo do të hedhë poshtë tezën e prokurorisë kinse në momentin e kryerjes së telefonatave të mbrojturat tona kanë qenë diku tjetër”, shtoi avokati Naser Sopjani.

Në lidhje me propozimin e mbrojtjes nuk pati kundërshtime nga ana e prokurorisë, madje prokurorja speciale Florie Shamolli tha se e përkrah propozimin e mbrojtësve.

Më pas trupi gjykues në krye me gjyqtaren Valbona Selimi vendosën që ta aprovojnë propozimin e mbrojtjes, andaj për seancën e radhës e cila u caktua që të mbahet me datën 20 shkurt u vendos që si dëshmitar të ftohet një zyrtar nga PTK-VALA në cilësinë e ekspertit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj të akuzuarve përbëhet nga tri pika.

Pika e parë akuzon Ilir Tolajn, Bekim Fushën dhe Zenel Kuqin se gjatë periudhës 23. 5.2011 deri 31.12.2011 në Prishtinë, në bashkëveprim, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI” sh.p.k. Drenas me bashkëpronarë Arion Lleshin dhe Shpend Aganin, i tejkaluan kompetencat si dhe nuk i përmbushën detyrat zyrtare të tyre.

Këto veprime të të akuzuarve kompanisë “KMI” i kanë sjellë dobi materiale në shumë prej 400.000 euro. Në vlerë të njëjtë ata i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës. Për këtë Prokuroria i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pika e dytë e aktakuzës e akuzon Zenel Kuqin se në cilësinë e menaxherit të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë periudhës ndërmjet 23.05.2011 dhe 31.12.2011 i tejkaloi kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë materiale nga kompania “ACG dhe “Standart”, për aktivitetin e prokurimit  “Renovimi gjeneral i aneksit të emergjencës ekzistuese në QKUK”, kompania “Alb Architect” në aktivitetin e prokurimit “Renovimi gjeneral dhe adaptimi i katit përdhes në Klinikën Interne, në repartin e ri për dializë në QKUK”, dhe kompania “Life Farm” për aktivitetin e prokurimit “Furnizim me infuzione”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën totale 276.307.97 eurove.

Me këtë në vazhdimësi sipas prokurorisë Kuqi ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Pika e tretë e akuzon Valentina Haxhijajn, Remzije Thaçin dhe Florije Tahirin se gjatë periudhës kohore 23.05.2011 deri 31.12.2011, Valentina Haxhijaj në cilësinë e kryetares  së Komisionit për Mbikëqyrjen e Ekzekutimit të Kontratës me Kompaninë “KMI”, sh.p.k. si dhe Remzije Thaqi e Florije Tahiri në cilësinë e anëtares, në bashkëveprim duke e shfrytëzuar autoritetin zyrtar më qëllim që të përfitojë dobi materiale kompania “KMI”, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare duke i sjellë kompanisë dobi materiale në shumën rreth 400.000 eurove.

Me këtë në vazhdimësi Valentina Haxhijaj, Remzije Thaçi e Florije Tahiri kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pjesë e aktakuzës ishin edhe dy biznesmenë, Arion Lleshi e Shpend Agani.

Lleshi e Agani lidhën marrëveshje për pranim fajësie me prokurorin special, të cilën më pas e pranoi edhe gjykata.

Pas aprovimit të pranimit të fajësisë, gjykata i dënoi Lleshin e Aganin me nga dy vjet burg me kusht dhe me nga 1,000 euro gjobë. Po ashtu, biznesmenët u obliguan që t’i kthejnë shtetit 400 mijë euro.

http://kallxo.com/dy-eksperte-ballafaqohen-ne-gjykimin-e-ilir-tolajt/