Foto Ilustrim: KALLXO.com

Një e vdekur dhe gjashtë të lënduar nga përmbysja e makinës

Një mësuese ka vdekur në një aksident që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, ndërsa gjashtë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, mes tyre edhe një infermiere.

Ngjarja ka ndodhur në Devoll, në aksin rrugor Miras-Arrëz, në një terren tepër të vështirë, ku të aksidentuarit po shkonin në punë.

Nga informacionet paraprake raportohet se mësuesja dhe gjashtë personat tjerë ishin duke udhëtuar me një makinë fuoristradë.

Ndërkohë që, makina ka ndaluar për t’i hapur rrugë një tjetër mjeti ka rrëshqitur si pasojë e ngricave dhe akullit në rrugë, duke u përmbysur.

“Më datë 19.12.2018, rreth orës 09:30, jemi njoftuar se në aksin rrugor Miras-Arrëz, ka ndodhur një aksident ku mjeti tip “Range-Rover” me targë AA 112 CA, me drejtues shtetasin Ç.H., banues në Miras, është batuar në rrugë dhe për pasojë, ka humbur jetën një pasagjere në mjet shtetasja L.D., 48 vjeçe, banuese në Miras”, sqaron policia në njoftimin zyrtar.

Mësohet se personat e tjerë që kanë mbetur të lënduar ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa, grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, raporton Oranews.