Foto: Twitter/Philip Kosnett

Një ditë para transformimit, ambasadori amerikan takon Komandantin e FSK-së

Ambasasori i ri i Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, gjatë ditës së sotme është takuar me Komandatin e FSK-së, Rrahman Rama.

Kosnett përmes një postimi në profilin e tij në “Twitter” ka thënë se ShBA është e gatshme të ndihmojë Kosovën për ushtrinë.

“Sot u takova me Komandantin e FSK-së, Rrahman Rama për të nënvizuar angazhimin e Qeverisë së SHBA ndaj evolucionit të FSK-së si një forcë mbrojtëse që u shërben të gjitha komuniteteve të Kosovës dhe duke reflektuar karakterin shumë-etnik të vendit”, ka shkruar Kosnett.

Në lidhje me këtë takim ka bërë të ditur edhe edhe zyra për informim e FSK-së.

Në njoftim thuhet se Rama falënderoi Ambasadorin për mbështetjen amerikane në të gjitha fazat, dhe e siguroi Kosnett se FSK-ja do të vazhdoj të jetë profesionale, gjithëpërfshirëse dhe kredibile.

“Thellimi i bashkëpunimit të ndërsjellë do të vazhdoj edhe më tej, në ndërtimin e një Force profesionale, të edukuar dhe trajnuar me standarde më të larta, për të qenë kontribuues i sigurisë në vend dhe rajon. FSK-ja është faktor stabiliteti dhe do të vazhdoj të operoj në koordinim me KFOR-in dhe institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare.  FSK-ja është institucion me vlera dhe si i  tillë do të zhvillohet më tej bashkërisht me NATO-n dhe SHBA-të”, ka thënë Rama.

Vlen të theksohet se ky takim u realizua një ditë pasi të votohet në Kuvendin e Kosovës transformimi i FSK-së në Ushtri.

Seanca është paraparë të mbahet në ora 10:00. Pako e projektligjeve për FSK-në është përkrahur nga të gjithë deputetët përvec atyre serbë.

https://kallxo.com/seanca-per-formimin-e-ushtrise-neser-ne-oren-10/