Foto: Valdrin Lluka/Facebook

Një delegacion i lartë japonez vjen për vizitë në Kosovë më 18 shkurt

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka njoftuar se ambasadori japonez në Kosovë, Kiyoshi Koinuma ka deklaruar se një delegacion i lartë japonez do të vijë për vizitë në Kosovë më 18 shkurt.

Më 18 shkurt bëhen 10 vjet që kur Kosova dhe Japonia kanë filluar marrëdhëniet diplomatike.

“Ambasadori Kiyoshi Koinuma më njoftoi se në datën 18 shkurt, për nderë të 10 vjetorit të fillimit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Japonisë, do të vijë për vizitë në Kosovë një delegacion i lartë nga Japonia”, ka shkruar ministri Lluka në Facebook.

Lluka ka pritur sot në takim ambasadorin japonez në Kosovë, Kiyoshi Koinuma, me të cilin ka diskutuar rreth marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, vizitën që ai e kishte në Japoni dhe donacionet japoneze për Kosovën.

“Në këtë takim, e njoftova ambasadorin Koinuma rreth vizitës në Japoni, takimet të cilat janë mbajtur me ministrin e ekonomisë z.Yoshihiro Seki dhe udhëheqësit e organizatave të ndryshme shtetërore, ku edhe ju falenderova për përkrahjen e qeverisë japoneze për projektin termocentrali Kosova e Re”, ka shkruar Lluka.

Gjithashtu, ambasadori Koinuma e ka njoftuar ministrin rreth një donacioni të qeverisë së Japonisë për kompanitë e pastrimit në komunat e Kosovës. Këto kompani do të përfitojnë 15 kamionë për pastrimin e mbeturinave.

“Japonia vazhdon të jetë një ndër donatorët më të mëdhenjë në Kosovë, ku ndihmon sektorin e shëndetësisë, arsimit, mediat dhe menaxhimin e zjarrit dhe mbeturinave”, ka thënë Lluka.