Foto: Facebook

Një debat më shumë për 'kartonin e gjelbër'

Kuvendi i Kosovës në rend dite ka debatin parlamentar lidhur me kartonin e gjelbër si kërkesë e deputetit të Partisë Social Demokrate, Faton Topalli.

Ai tha se mërgimtarët po paguajnë qindra mijëra euro kur hyjnë në Kosovë.

Sipas tij, shuma që nga paslufta e arrin vlerën e 200 milionë eurove.

“Shuma arrin vlerën e 200 milionë euro nga paslufta. Ky nuk është trajtim dinjitoz”, tha ai duke uruar që ky të jetë debati i fundit për kartonin e gjelbër.

Topalli ka treguar se Kosova i ka përmbushur tri kushtet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Byrove për kartonin e gjelbër në Bruksel.

Sipas tij, Kosova ka krijuar bazë ligjore për t’u anëtarësuar në Këshillin e Byrove, ka krijuar 4 milionë fond rezervë dhe është krijuar Byroja Kosovare.

Por, sipas Topallit, numri i makinave të paregjistruara në Kosovë është i madh dhe kusht për anëtarësim është bërë që ky numër i makinave të pa regjistruara të bije 5 për qind dhe kushti i dytë që Kosova të jetë pjesë e OKB-së.

Topalli ka dhënë disa rekomandime duke thënë se detyrë e Kuvendit mbetet që të krijohen kushte të përkohshme.

“Kuvendi obligon krijimin e një komisioni për kartonin e gjelbër. Komisioni drejtohet nga iniciuesi i këtij debati parlamentar. Komisioni përcakton veprimet konkrete të secilit aktor. Procesi për anëtarësim mund të marr kohë për këtë arsye duhet të gjendet një zgjedhje e përkohshme deri në anëtarësim përfundimtar, të gjendet një shtet i cili merr përsipër mbulimin e Kosovës”, ishin disa rekomandime të Topallit.

E Lumir Abdixhiku nga LDK tha se është e turpshme që “diaspora jonë është e detyruar të paguajë dhjetëra miliona euro sa herë që vijnë këndej”.

“131 milion euro polica kufitare iu janë shitur mërgimtareve për rreth 15 vite. Ndërsa dëmet e paguara kanë qenë vetëm 11 milionë euro”, tha ai.

Në Kosovë sipas tij sot janë 20 për qind e automjeteve të pa regjistruara. Çdo e 5-ta veturë që e shihni në rrugë janë të paregjistruara dhe nuk ka mundësi që të anëtarësohemi pa zgjidhjen e këtij problemi.

Mërgim Lushtaku tha se PDK është angazhuar për zgjidhjen e shumë problemeve e po ashtu edhe për çështjen e kartonit të gjelbër.

Si anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lushtaku tha se i kanë shqyrtuar gjitha rekomandimet dhe se nuk është e domosdoshme të krijohet një komision ad hoc për këtë çështje. Lushtaku propozoj që Komisioni për Buxhet dhe Financa të vazhdoj merret me këtë çështje.

Sami Kurteshi, nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi se OKB nuk ka të bëjë asgjë me kartonin e gjelbër.

“Nuk di qysh kanë mujt me gënjyer në këtë mënyrë që vetëm anëtarësimi në OKB bënë njohjen për kartonin e gjelbër”, tha Kurteshi.

Pengesa kryesore sipas tij është monopoli i dy kompanive sepse fitimi është jashtëzakonisht i madh.

“Kjo tregon dështimin e institucioneve tona. Ku është Autoriteti i Konkurrencës që është institucion shtetëror dhe e ka këtë detyrë. Pse ky monopol dhe pse lejohet kjo zhvatje e kundërligjshme qe 17 ose 18 vite”, tha Kurteshi.