Nitaj ‘arsyeton’ punësimet partiake, qytetarët 'e bëjnë horë' me komente

Deputetit të AAK-së nuk i kanë ‘pëlqyer’ kritikat që partia e tij i ka marrë për punësimin e militantëve në kompanitë publike, sidomos në Telekomin e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Muharrem Nitaj ka thënë që nuk e kupton këto reagime të cilat ai i quan ‘fushatë’.

“Nuk po mundem ta kuptoj këtë fushatën që të sulmohen njerëzit që marrin 3-400 euro rrogë me djersën e tyre, sikur kjo qenka rreziku me të cilin po përballet shteti! Interesi publik dëmtohet me shpërdorime milionëshe, me nepotizëm të nivelit të lartë e jo pse dikush merr një kontratë punë, qoftë edhe të përkohshme me pagë minimale”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Sipas Nitajt partia e tij në krahasim me partitë e tjera është engjëll.

“Është e pandershme që të drejtohet gishti nga AAK, sepse ne krahasim me të tjerët AAK rezulton të jetë engjëll. Por edhe kjo fushatë do të marrë fund dhe unë shpresoj shumë që shpërdorimet të denoncohen në thelb e jo të provohet që të bëhen balanca me shashka”, ka theksuar ai.

Sipas tij krejt ata që i kanë rënë në qafë për punësime, s’kanë lënë institucion pa pushtuar me qindra militantë dhe atë në pozita udhëheqëse.

Mirëpo të menjëhershëm ishin reagimet e qytetarëve të cilët kanë komentuar në mënyrë të ndryshme këtë qëndrim të deputetit të AAK-së.

“Tanat kapak e kanë mbushur kupën. Ju keni qellu kur kupa është e mbushur dhe vetëm eksplodimi po pritet… Edhe me një euro keqpërdorim duhet dhënë llogari, tek vendet me njerëz me politikan me fytyrë…”, ka komentuar një qytetar.

Kishte edhe qytetarë të atillë që deputetin Nitaj e pyetën se kur do t’i vijë radha e punësimeve atyre që nuk kanë librezë partiake.

“Mire zotri Muharrem Nitaj, juve AAK-ne po ju “sulmojnë”, për punësime partiake me “rroga 3-400 euro, me kontrata të përkohshme” që keni bërë. Ju po i akuzoni partitë tjera që kanë punësuar njerëz në pozita udhëheqëse ( që është e vërtete). Por pyetja ime është, çfarë me ne qe nuk jemi pjese te partive, kur do te na vie radha te “konkurrojmë”, me militantet e partive?!”, ka komentuar një qytetarë tjetër.

Ndërsa në postimin e deputetit Nitaj një komentues ka shprehur edhe zhgënjimin e tij me Qeverinë Haradinaj.

“Kam besu qe do ta luftoni dukurinë e jo te bëheni pjesë e saj!”, ka shkruar ai.