Nisma e Drejtorit-Nuk e Bëra për Vëllanë!

Iniciativën që Komuna e Shtimes të heqë dorë nga shpallja zonë e interesit të veçantë e dy parcelave ku planifikohej të ndërtohej një park, sipas hulumtimit të “Drejtësisë në Kosovë” e kishte ndërmarrë drejtori i urbanizmit Mehdi Salihu.

Pasi asambleja e kësaj komune hoqi dorë nga ky interes, duke rrëzuar një vendim të sajin të vitit 2012, në këtë vend u harrua ndërtimi i parkut dhe nisi të ngrihet një objekt shumëkatësh.

Përveç kryetarit të Komunës së Shtimes Naim Ismajli dhe kushëririt të tij e asamblistit të PDK-së Jakup Ismajli, pronar te kjo tokë është edhe Hasan Salihu, vëllai i drejtorit të urbanizmit Mehdi Salihu.

Në hulumtimin e “Drejtësisë në Kosovë” të shfaqur sot, drejtori Mehdi Salihu mohoi çdo mundësi që kërkesa nga drejtoria e tij ka pasur qëllim që të sillte përfitime për vëllanë e tij, apo edhe për kryetarin e komunës, ndërsa i quajti veprimet e tij si të ligjshme.

Asambleja komunale kur e kishte shpallur këtë hapësirë zonë të interesit të veçantë, nuk ua kishte lejuar për tri vjet pronarëve të mëparshëm serbë shitjen e saj.

Pronën pastaj e kishte blerë për 60 mijë euro një biznesmen që sipas hulumtimit ua kishte shitur më pas kryetarit ismajli, asamblistit Jakup Ismajli dhe Hasan Salihut, vëllait të drejtorit të urbanizmit.

Këta të tre ia kishin ofruar përsëri me koncesion këtë pronë biznesmenit nga i cili e blenë dhe aty ka nisur të ndërtohet një shumëkatëshe.

Hulumtimin e plotë të “Drejtësisë në Kosovë” mund ta shihni në vazhdim.